Kryebashkiaku i një qyteti italian ka ndaluar parukierët dhe berberët të lajnë flokët e klientëve të tyre dy herë me shampo, në përpjekje për të kursyer ujin gjatë një prej thatësirave më të rënda në dekada.

Carlo Gubellini, kryebashkiaku i Castenaso, qytet që ndodhet afër afër Bolonjës, tha se mijëra litra ujë shpërdoroheshin çdo ditë përmes larjes së dyfishtë me shampo.

Ai besohet të jetë i vetmi kryebashkiak në Itali që ka marrë një masë të tillë, e cila do të përfshijë kontrolle dhe gjoba deri në 500 euro për sallonet që shkelin rregullin.

Castenaso, e cila ka një popullsi prej 16,000 banorësh, është shtëpia e 10 parukierëve dhe berberëve.

“Nëse shumëzojmë sasinë e ujit të përdorur për çdo klient, ne po flasim për mijëra litra në ditë”, tha Gubellini për Corriere della Sera. “Castenaso është i vogël: imagjinoni se çfarë do të thotë për sa i përket konsumit të ujit në qytetet e mëdha. Ne e dhamë urdhrin të shtunën, duke pasur parasysh se parukierët janë të mbyllur të dielave dhe të hënave, për t’u dhënë atyre shumë kohë për t’u përshtatur.”

Kryebashkiakët e qyteteve të tjera italiane kanë vendosur gjithashtu masa për racionimin e ujit, përfshirë Milanon, ku shatërvanët publikë janë fikur.