Njerëzit e apasionuar pas kopshtarisë arrijnë gjithmonë të krijojnë një oaz të gjelbër në shtëpitë e tyre.
Megjithatë, ky oaz përballet me shumë sfida në periudhën e dimrit, kur temperaturat ulen ndjeshëm.
Në AgroWeb.org do të mësoni për metodat më të thjeshta dhe efikase për mbrojtjen e bimëve tuaja nga moti i ftohtë.
Si t’i mbroni bimët nga moti i ftohtë
Ekspertët e AgroWeb.org thonë se së pari, duhet të siguroheni që vazot tuaja të jenë të mbështjella ose me qese plastike ose më mirë akoma, me batanije.
Nëse keni mbjellë pemë të vogla, atëherë duhet të dini që ngricat prekin më fort pemët me lëvore me ngjyrë të çelët.
Ndaj ju mund të lyeni boshtin e pemës me bojë të bardhë.
Si të mbroni trëndafilat dhe karafilat nga moti i ftohtë
Njerëzit që mbjellin trëndafila dhe karafila, duhet të dinë që këto lule kanë nevojë për ndihmën e njeriut që t’i mbijetojnë dimrit.
Pjesa e rrënjëve duhet mbrojtur sa më shumë falë disa shtresave të mbetjeve organike ose edhe gjethe.
Gonxhet dhe filizat duhen veshur me qese plastike ose rroba të trasha.
Sigurohuni që të gjitha vazot tuaja të kenë një sistem të mirë kullimi, në mënyrë që uji të mos ngrijë dhe të dëmtojë rrënjët e bimëve.
Nëse temperaturat janë shumë të ulëta, atëherë vazot duhet t’i mbani sa më shumë brenda por të siguroheni që janë në një vend të ndriçuar mirë.
Nëse nuk keni vend në shtëpi, atëherë vazot duhet t’i mbani pranë njëra tjetrës, t’i mbuloni mirë por edhe të krijoni mburoja artificiale kundër erës së ftohtë.
Një e tillë mund të krijohet me kornizën prej druri të një dritareje të vjetër, të cilën mund ta vishni me gjethe dhe më pas ta mbështesni sipër vazove tuaja për t’i mbrojtur ato nga ngricat.
Një nga bimët që mbajmë më shumë në shtëpi është ajo e aloe verës.
Ajo duhet mbajtur larg dritares ku hyn i ftohti, por në një ambient të ndriçuar mirë.
Ujitja duhet të jetë e rrallë dhe përpara se ta bëni këtë, kujdesuni të verifikoni nëse dheu është plotësisht i thatë.