Çmimet e ushqimeve në Mbretërinë e Bashkuar po rriten me ritmin më të shpejtë në 45 vjet, pasi kostot e produkteve bazë si qumështi, djathi dhe vezët po arrijnë nivele stratosferike.

Inflacioni vjetor i çmimeve të ushqimeve arriti në 16.2% në muajin tetor, nga 14.5% që ishte në shtator, sipas shifrave më të fundit.

Kostot e energjisë dhe të karburantit gjithashtu janë rritur ndjeshëm, duke bërë që norma e përgjithshme e inflacionit të arrijë nivelin më të lartë që nga viti 1981.

Kostot e shtuara të jetesës po ushtrojnë presion ndaj buxheteve të familjeve, duke bërë që shumë njerëz të përballen me vështirësi.

Zyra për Statistikat Kombëtare (ONS) tha se inflacioni po godet më rëndë familjet më të varfra, pasi ato shpenzonin rreth gjysmën e të ardhurave të tyre për ushqime dhe energji, krahasuar me rreth një të tretën e të ardhurave që shpenzohet për këto produkte nga familjet me të ardhura mesatare.

Norma e përgjithshme e inflacionit prej 11.1% për muajin tetor është më e larta në 41 vite dhe shënon një rritje nga norma 10.1% e shtatorit.

Shifrat e fundit vijnë përpara Deklaratës së Vjeshtës e cila do të mbahet ditën e enjte, ku kancelari Jeremy Hunt pritet të njoftojë miliarda paund në reduktime të shpenzimeve publike dhe rritje të taksave.

Hunt tha se planet e tij do të synojnë të vënë nën kontroll rritjet e çmimeve, duke shtuar se ai do të ndërmarrë “vendime të vështira, por të nevojshme” për ta rikthyer ekonominë në rrugën e duhur.

Por, rivalja e tij nga Partia Laburiste, Rachel Reeves, tha se rritja e normës së inflacionit do të “ndjellë më shumë frikë në zemrat e familjeve në të gjithë Britaninë” dhe fajësoi “12 vitet e dështimeve të politikave ekonomike të konservatorëve”.

Inflacioni është një matës i kostos së jetesës dhe, për ta llogaritur atë, Zyra për Statistikat Kombëtare (ONS) gjurmon çmimet e qindra artikujve të përditshëm, të njohura si “shporta e mallrave”.

ONS tha se çmimet e ushqimeve ishin rritur ndjeshëm në muajin tetor, pasi çmimet e qumështit, makaronave, margarinës, vezëve dhe drithërave kishin shënuar rritje.

Megjithatë, çmimet e gazit dhe të energjisë elektrike vazhdojnë të jenë nxitësit kryesorë të inflacionit, pasi faturat pësuan përsëri rritje muajin e kaluar.

Skema e qeverisë për Garancinë e Çmimeve të Energjisë arriti t’i zbusë këto rritje, duke kufizuar faturën mesatare të një familjeje britanike në rreth 2500 £ në vit.

Por, ONS tha se çmimet e gazit dhe të energjisë elektrike ishin ende më të larta krahasuar me një vit më parë, me afërsisht 130% dhe 66% respektivisht.

Megjithatë, pa mbështetjen e qeverisë, ky institucion tha se inflacioni i përgjithshëm do të ishte rritur deri në 13.8%./ BBC