Para selisë së parlamentit në Podgoricë, të enjten mbrëma u zhvillua protesta e radhës, ku me mijëra qytetarë nga të gjitha qytetet e vendit, kërkuan tërheqjen e ndryshimeve të Ligjit për Presidentin, miratimin e marrëveshjes për zgjedhjen e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Mal të Zi.

Duke iu drejtua qytetarëve, profesoresha dhe aktivistja Jasmina Nikçeviq, e cila është edhe bashkëorganizatore e këtyre protestave, vuri në dukje rëndësinë e këtyre protestave për mbrojtjen e shtetit të Malit të Zi.

“Tubimi i sotëm, si dhe tubimet e mëparshme dhe të ardhshme, nuk janë protesta të asnjë partie, asnjë grupi partiak, asnjë individi, por më e rëndësishmja, është një thirrje për mbrojtjen dhe ruajtjen e rendin kushtetues dhe institucioneve të shtetit në Malin e Zi,” tha zonja Nikçeviq.

Në protestë folën edhe studentë dhe përfaqësuesë të shoqërisë civile të cilët mbështesin Malin e Zi si “një shtet shumetnik dhe të barabartë për të gjithë popujt që jetojnë në të”.

Para dhe pas ndërtesës së parlamentit dhe tek selia e qeverisë u vu re një prani e shtuar e policisë, si dhe automjeteve të blinduara , ndërkohë që protestat po zhvillohen të qeta.

Kjo është protesta e dytë që nga fillimi i këtij muaji. Me 8 nëntor protestuesit kundërshtuan ndryshimet në Ligjin për Presidentin, përmes së cilit partitë në pushtet synojnë kufizimin e përgjegjësive kushtetuese të presidenti aktual Milo Gjukanoviç dhe kalimin e tyre te parlamenti.

I tillë është vlerësuar ky ligj edhe nga juristët dhe organizatat joqeveritare, ndërsa diplomatët e vendeve kryesore perëndimore thanë se po “i ndjekin me shqetësim zhvillimet politike në Malin e Zi”.

Zyra e presidenti të Malit të Zi, kërkoi nga Komisioni i Venecias të nxjerrë një opinion urgjent për ndryshimin e Ligjit për Presidentin e Malit të Zi, i cili po shkakton debate të shumta, por edhe një krizë politike në vend.

Gjatë kësaj jave janë mbledhur mbi 15 mijë nënshkrime në mbështetje të peticionit të qytetarëve, duke treguar qartë se ata kërkojnë zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe zgjidhjen e krizës politike në Malin e Zi.

Shumica parlamentare, e cila ka 41 deputetë, e udhëhequr nga Fronti Demokratik pro-rus me Demokratët dhe lëvizjen URA të kryeministrit në largim, Dritan Abazoviq, mbështesin zgjedhjen e një qeverie të re, mandatari i së cilës do të ishte kandidati i tyre Miodrag Lekiq. Nga ana tjetër, blloku i opozitës dhe partive të pakicave të udhëhequr nga partia e presidentit Milo Gjukanoviq mendon se parlamenti duhet të shpërndahet dhe të organizohen zgjedhje të reja.

Mali i Zi është tronditur nga një krizë politike që pasoi rënien e qeverisë së kryeministrit Abazoviq dhe refuzimin e shumicës parlamentare për të hyrë në një proces të ri zgjedhor. Po ashtu, pothuajse të gjitha institucionet janë në gjendje të përkohshme vepruese, përfshirë edhe Gjykatën Kushtetuese, e cila është pa kuorum.