Ballina Aktualitet Pushimet brenda vendit, cilat qytete preferojnë më shumë shqiptarët?

Pushimet brenda vendit, cilat qytete preferojnë më shumë shqiptarët?

Preferencat për destinacione pushimesh brenda vendit ndryshojnë me tremujorë  por për të paktën gjysmë viti Korça mbetet e përzgjedhura kryesore.

Të dhënat e INSTAT në anketën e turizmit “Pushime dhe Udhëtime” për vitin e kaluar tregojnë se qyteti juglindor i vendit është destinacioni kryesor në tremujorin e parë dhe të fundit të vitit. Durrësi nga ana tjetër është më i preferuari në tremujorin e dytë kurse Vlora në të tretin.

“Nëse do të analizojmë udhëtimet e kryera në Shqipëri përgjatë tremujorëve të shpërndara sipas qëllimit ‘Pushime dhe kohë e lirë’, vihet re se në tremujorin e parë destinacion kryesor i udhëtimeve ka qenë qarku i Korçës me 31,4%, ndërsa udhëtimet që kanë si destinacion kryesor qarkun e Durrësit kanë regjistruar përqindjen më të lartë të udhëtimeve në tremujorin e dytë 24,0%, dhe për tremujorin e tretë është regjistruar si destinacion i preferuar qarku i Vlorës me 51,3%.

Edhe në tremujorin e të katërt, udhëtimet me destinacion kryesor qarkun e Korçës kanë shënuar përqindjen më të lartë të udhëtimeve në përkatësisht 52,1%. Në vitin 2021, destinacionet më të preferuara të udhëtimeve të kryera jashtë Shqipërisë për ‘Pushime dhe kohë të lirë’ për tremujorin e parë janë: Mali i Zi, Kosova, Turqia dhe Dubai, për tremujorin e dytë: Maqedonia e Veriut dhe Turqia, në tremujorin e tretë: Greqia, Turqia dhe Mali i Zi dhe për tremujorin e katërt: Turqia dhe Kosova”, thuhet në anketën e INSTAT.

Udhëtimet sipas qellimit

INSTAT vlerëson se në vitin 2021, numri i udhëtimeve për qëllime personale apo biznesi (brenda apo jashtë Shqipërisë) të kryera nga individët banues në Shqipëri të moshës mbi 15 vjeç ishte 3.459.499. “Numri mesatar i netëve të qëndrimit për udhëtime të kryera është 4,3 netë. Udhëtimet për qëllime personale përbëjnë 97,1% të udhëtimeve gjithsej, ndërsa udhëtimet për qëllime biznesi 2,9% të tyre. Përqendrimet më të larta të udhëtimeve të kryera janë regjistruar në muajt: Gusht (18,6%), Korrik (12,4%), Qershor (11,5%) dhe Dhjetor (9,9%)”, thuhet në publikim.

Udhëtimet sipas qëllimit

Anketa tregon se në vitin 2021, janë regjistruar rreth 7,7% më shumë udhëtime në të gjithë Shqipërinë dhe jashtë saj, krahasuar me vitin 2020. Përgjithësisht është shënuar rritje për të gjitha llojet e udhëtimeve, ku rritja më e lartë është shënuar për udhëtimet për qëllime personale dhe biznesi jashtë Shqipërisë.

“Në 2021, udhëtimet e kryera për qëllime “Vizita te të afërm dhe miq” në Shqipëri dhe jashtë saj janë rritur përkatësisht me 2,9 dhe 8,6 pikë përqindje, krahasuar me vitin 2020.

Nëse do të analizojmë shpërndarjen e udhëtimeve sipas kohëzgjatjes së netëve të qëndrimit, udhëtimet e shkurtra (1-3 netë) në Shqipëri zënë një peshë më të madhe (70,0%) se udhëtimet e gjata (4+ netë). Ndryshe paraqitet situata për udhëtimet e kryera jashtë Shqipërisë ku peshën më të madhe të tyre e zënë udhëtimet e gjata (69,8%).

Nëse do të analizojmë më në detaj kohëzgjatjen e udhëtimeve sipas qëllimit në Shqipëri dhe jashtë saj, vërejmë se udhëtimet për “Pushime dhe kohë të lirë” kanë kohëzgjatje të shkurtër brenda vendit (59,4%) dhe kohëzgjatje të gjatë jashtë vendit (51,7%). Udhëtimet për “Vizita te të afërm dhe miq” kanë kohëzgjatje të shkurtër brenda vendit (79,9%) dhe kohëzgjatje të gjatë jashtë vendit (83,2%). Udhëtimet e kryera për qëllime biznesi kanë kohëzgjatje të shkurtër në Shqipëri (98,7%) dhe të gjatë jashtë saj (77,0%)”, thuhet në anketë.

Profili i udhëtarëve

“Analizimi i udhëtimeve sipas grup-moshës në vitin 2021, na tregon se përqindjet më të larta të udhëtimeve brenda dhe jashtë Shqipërisë janë kryer nga grup-mosha 25-34 vjeç. Analizimi i udhëtimeve sipas gjinisë së udhëtarit, në vitin 2021, na tregon se përqindjet më të larta të udhëtimeve brenda dhe jashtë Shqipërisë janë kryer më shumë nga udhëtarët meshkuj (52,0% dhe 57,7%).

Lidhur me kohëzgjatjen e udhëtimeve të analizuar sipas grup-moshave të udhëtarëve, në vitin 2021, vihet re që udhëtimet me kohëzgjatje të shkurtër (1-3 netë) kanë shënuar përqindjen më të lartë për grup-moshën 45- 54 vjeç. Ndërsa udhëtimet me kohëzgjatje të gjatë (4+ netë) janë kryer nga grup-mosha 75+ vjeç”, vlerëson INSTAT.