Qytetarët malazezë do të protestojnë të martën e 8 nëntorit para Kuvendit të Malit të Zi, në Podgoricë.
Protesta është organizuar nën sloganin “Jemi këtu” dhe kërkohet mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe tërheqja e propozimit për ndryshime në Ligjin për Presidentin e Shtetit të Malit të Zi.
Sipas mediave lokale, qytetarët kanë filluar të mblidhen nga të gjitha qytetet, për të marrë pjesë në protestën që fillon nga ora 18:00.
Protesta është mbështetur nga Partia Demokratike e Socialistëve, Partia Socialdemokrate dhe Partia Liberale.
Protestën e ka mbështetur edhe presidenti i shtetit, Milo Gjukanoviç.
“Mbështetje për tubimin protestues, qëllimi i të cilit është kthimi i besueshmërisë dhe legjitimitetit të institucioneve dhe mbrojtja e Malit të Zi”, ka thënë ai, transmeton mediumi malazez ‘Pobjeda’.
Gjithashtu, edhe Bashkimi Evropian është i shqetësuar për shkeljen e Kushtetutës me miratimin e Ligjit për Presidentin, i cili, sipas tyre, abuzon qartë me dispozitat kushtetuese.
Ndryshe, të martën e 2 nëntorit, me votat e shumicës së vjetër parlamentare, në Kuvendin malazez, me 41 vota pro dhe pa praninë e opozitës, u votuan ndryshimet në Ligjin për Presidentin e Shtetit, të cilat parashikojnë një sërë dispozitash antikushtetuese.
Deputetët e formacionit pro-rus dhe pro-serb ‘Frontit Demokratik’, ‘Demokratët’, dhe URA duan që presidenti malazez të propozojë një përfaqësues për përbërjen e qeverisë së re ose ta përjashtojë atë krejtësisht nga ky proces.
Meqenëse ligji është miratuar me procedurë urgjente, Gjukanoviç është i detyruar ta nënshkruajë atë brenda tri ditëve ose ta kthejë në Kuvend për rishikim.
Nëse e kthen ligjin në Kuvend dhe deputetët e votojnë sërish, presidenti i shtetit, sipas Kushtetutës, duhet të shpallë ligjin e rimiratuar.
Kujtojmë se Gjykata Kushtetuese nuk është funksionale prej kohësh, dhe deri atëherë mbetet e paqartë se çfarë rezultati ligjor dhe politik është i mundur nëse Gjukanovic refuzon të shpallë Ligjin e ndryshuar për Presidentin për herë të dytë.