Ballina Aktualitet Bislimi: Rezoluta McCain-Biden e Senatit të SHBA-ve (Prill 1999), Themel i Paktit...

Bislimi: Rezoluta McCain-Biden e Senatit të SHBA-ve (Prill 1999), Themel i Paktit Mbrojtës të Kosovës nga SHBA-të

Nga Dr. FATON BISLIMI – Kanada

Antar Ekzekutiv i Bordit të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, ish deputet i Kuvendit të Kosovës (LDK)

        Zhvillimet e fundit në vend nuk janë aspak befasuese për ata që e kanë kuptuar dinamikën e zhvillimeve gjeopolitike të shkaktuar nga agresioni rus në Ukrainë dhe palëkundshmërinë e lojalitetit serb ndaj Rusisë. ‘Rusia e vogël e Ballkanit,” siç e kam quajtur Serbinë në shkrimet e mia në mediat ndërkombëtare dhe shkëmbimet e letrave me liderë të politikës së jashtme të SHBA-së e BE-së, nuk po bënë asgjë më shumë sesa atë që i shkon për shtati Rusisë dhe mendjeve shoveniste të kohës së Milosheviqit që sot udhëheqin në Beograd. Mendësia e regjimit të Vuçuqit e Daçiqit nuk mund të sjellë asgjë më shumë sesa destabilizim e konflikt, ngase ata ndryshe nuk përmbushën, pasi që në demokraci reale janë veçse mbetje të koroduara të së kaluarës gjakpirëse milosheviqiane.

          Për regjimin e Beogradit, serbët e Kosovës janë veçse ‘avatarë’ në lojën politike anti-Kosovë, humbja eventuale e të cilëve nuk e rëndon aspak komoditetin e kolltuqeve të pushtetit në lluksin e ‘Beogradin në Ujë.’ Por, tragjikomikja këtu është se edhe për Putinin, në fund të ditës, Vuçiqi e Daçiqi janë pikërisht ‘avatarë’ në lojën e tij gjeopolitike karshi Evropës në veçanti.

          Nuk është hera e parë që Lista Serbe del nga institucionet e Kosovës, por neveria ishte kulminante me zhveshjen demonstrative të uniformave të Policisë së Kosovës. Ky akt është shumë neveritës për t’u harruar e aq më pak për t’u falur!

          Është bindje e imja se shtetësia e Kosovës ka për hisedarë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, po aq sa ishte bindje e imja që Prishtina do duhej të mirëkuptonte këkresat amerikane në këtë kohë dhe të gjente modalitetin e duhur për të bashkëvepruar me SHBA-të, e jo veç vetëm. E kam thënë edhe më herët që SHBA-të s’do bënin një kërkesë të tillë ndaj Kosovës pa pasë një arsyeshmëri të fortë. Sot jemi në një situatë të re e të rënduar që përsëri kërkon bashkërendim të skajshëm të veprimeve tona me SHBA-të. Nuk duhet assesi të bëhemi pala që i jep alibinë Serbisë për përshkallëzim të situatës deri në vënjen e Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare para një ‘fait accompli’. Ky realisht është synimi i Serbisë — dalja nga institucionet e Kosovës është veçse hapi i parë — jetësimi praktik i një entiteti të vetshpallur si të mëvetshëm i serbëve të Kosovës. Kjo e ndryshon krejt çështjen e dialogut dhe e sforcon pozicionin serb në të, e ne mund ta quajmë si të dojmë këtë entitet të tyre mandej – qoftë zajednicë, qoftë asociacion…

          Andaj, është imperative ta rikujtojmë pak historinë sepse si duket kemi aftësi të jashtëzakonshme për të harruar atë. Më 20 prill 1999, dy Senatorë në Senatin e SHBA-ve, njëri republikan e tjetri demokrat, paraqesin Rezolutën SJ 20 me anë të së cilës autorizohej Presidenti i SHBA-ve të “përdorte gjithë forcën e nevojshme përfshi edhe trupat tokësore,” për të fituar luftën ndaj Serbisë në Kosovë! Këta dy burrështetas amerikanë, e miq të mëdhenj të Kosovës përmes punës me ta që kishte bërë Liga Qytetare Shqiptaro Amerikane (të cilët kam pasë fatin jetësor t’i takoj edhe unë personalisht), ishin John McCain (tanimë i ndjerë) dhe Joe Biden (sot President i SHBA-ve). Kjo Rezolutë atëkohë kishte bërë edhe bum mediatik dhe per të raportonin e shkruanin prestigjiozet botërore si New York Times e Washington Post, sepse kishte shënuar një intervenin shumë të madh në Ligjin e Përgjegjësive të Luftës. Kjo Rezolutë më 4 maj 1999 ishte votuar në Senatin e SHBA-ve dhe me 78 vota për e 22 kundër (nga 100 gjithsej) ishte ‘tabuluar’ (“tabled” nga anglishtja, ishte vënë në dispozicion të Presidentit të përdorej sipas nevojës)!

          Atëherë nëse Serbia ende po thirret në Rezolutën 1244 të OKB-së, le ta dijnë ata por edhe Prishtina që ekziston edhe Rezoluta SJ 20 e prillit 1999 e Senatit të SHBA-ve që na shkon në favor neve. Fundja, si shtet sovran dhe i pavarur, Kosova e ka të drejtën tê bëjë një pakt bilateral të mbrojtjes me SHBA-të. Baza ligjore në SHBA ekziston që nga 1999 dhe njëri nga hartuesit e saj sot është President i SHBA-ve! Por, për të arritë këtë pakt, dihet se duhet të jemi shumë më të përgjegjshëm e më të afërt në partneritet me Washingtonin.

          E kjo nuk arrihet as me pozicionime gjysmake karshi kërkesave të SHBA-ve nga ana e pozitës e as me deklarata shabllon pa ndonjë substancë e propozim konkret nga opozita!