Një klerik fetar, me Biblën në dorë,
E njihnin në popull, si Prifti gazmor.
Vlerësimin e gëzonte për sharmin e tij,
Ngase gjitha punët i shkonin në vijë!
Desh u çmend Mbreti, i ngrefosur fort,
– E sillni tha shpejt, Priftin në raport!
Pse t’quajnë gazmor, të priftë suksesi?
– Tha nuk kam halle, as borxh interesi!
Obobo!- klith Mbreti, kjo është mrekulli,
Tani unë të bëjë, përgjithmonë borxhli!
– Dëgjo me vëmendje, tri pyetje me rend,
Për një javë përgjigjet i dua me mend!
– Sa yje ka qielli ? – të gjitha numëroj…
Ku është mes’ i botës?, Çfarë unë mendoj?
Po s’mi the të gjitha, ta keni me dije,
Ka me t’shkuar koka, pas qafe si hije!
Si limon i verdhë, Prifti shkon në shtëpi,
E presin me frikë, gruaja me fëmijë!
Ata ish mësuar, ta shihnin përherë,
Ashtu të qeshur, plot shend edhe verë!
Prifti nuk e fshehu, shqetësimin për fare,
I tregon familjes, rend me rend, ashiqare,
Pastaj fton në popull, miq edhe këshilltarë:
Filozofë, dijetarë, pleqnar e magjistarë!
Askush nuk i jepte, përgjigje t’qëlluar,
Vendosi të shkoj në mulli për t’ bluar!
Të bluaj grurë e misër, të ketë me bollëk,
Që mos t’mbetej familja, të paktën pa bukë!
Kur e pa Mullisi, Priftin me shqetësime,
Dukej shumë i humbur i tretur n’ kujtime!
I rrëfen ngjarjen, ashtu si të themi
– Mos keni merak, ka zgjidhje problemi!
Pasuritë e patundshme t’mi bëni tapi,
Livadhet nën ujë, zabel e mulli..!
Unë vetë shkoj te Mbreti, mos e keni dert,
E zgjidhi problemin, me shumë marifet!
Mullisi vë mjekër, veshë mantel të zi,
Shkon te Mbreti, me shumë siguri!
E shikon nga lart me kureshtje prore,
Çfarë përgjigje jep n’pyetjet mbretërore?
– I numërova yjet në qiell për shtatë ditë,
Më dolën sa qime i ka kali yt!
Nëse nuk besoni, shkoni i numëroni,
Për ndryshe, nuk del ajo që kërkoni!
Pastaj me litar e mata krejt dynjanë,
Më doli mesi, aty ku je në fron,
Sa i përket: Çfarë mendon si mbret?
– Unë nuk jam Prifti, po Mullisi vetë!
E heq mjekrën ngadalë e mantelin priftëror,
– Tha nga sot Prifti, nuk është më gazmor!
Nga kjo histori Mbreti, mbet i gëzuar,
E liron pa kushte, Mullisin kokë-zgjuar!
Sevdail Hyseni
(Karikatura e përpunuar, marrë nga interneti)