Teksa Ukraina gjendet në krizë për shkak të agresionit rus, së fundmi është dhënë urdhër për ulje të konsumit të energjisë.
Këtë e ka bërë të ditur kryeministri i vendit Denys Shmyhal duke u bërë thirrje qytetarëve dhe bizneseve të reduktojnë kosumin e energjisë elektrike me qëllim të shmangjes së ndërprerjeve.
“Ne u jemi mirënjohës të gjithë ukrainasve që ulën qëllimisht konsumin e energjisë elektrike dje dhe pardje. Kursimi total ishte 10%. Falënderojmë gjithashtu krerët e rajoneve, kryetarët e komuniteteve, të cilët patën një qasje të përgjegjshme dhe shkurtuan konsumin e energjisë në komunitet”, u shpreh ai.
Njerëzve u kërkohet të zvogëlojnë konsumin e energjisë nga ora 17:00 në 22:00 në të gjithë Ukrainën me 25% në mënyrë që të stabilizohet sistemi energjetik, i cili ishte dëmtuar nga sulmet me raketa ruse.
Shmyhal gjithashtu u bëri thirrje popullit që të përdorin gazin dhe qymyrin me masë pas ndezjes së ngrohjes.
“Temperatura minimale e lejuar e ambienteve të brendshme këtë dimër do të jetë 16 gradë Celsius, ndërsa temperatura mesatare do të jetë 18 gradë. Kjo është një domosdoshmëri dhe ky është kontributi ynë për fitoren. Në fund të fundit, varet nga secili prej nesh se si do ta kalojmë këtë dimër”, shtoi kryeministri Denys.