Shkruan: Florim Zeqa 07.10.2022
Për aq sa jam i zhgënjyer në arrogancën e partive aktuale politike, jam i dëshpruar në heshtjen e popullatës, e cila në vend të ndëshkimit, po i mbështet vërbërisht ato.
Kam frikë se ky popull ndodhet para një tragjedie të re!
Dallimet e mëdha shoqërore
Me një fjalë jam thellë i zhgënjyer me injorancën e shqiptarëve, sesi me aq lehtësi mashtrohen dhe manipulohen nga kjo klasë e papërgjegjshme politike. Shqiptarët sa më shumë i gënjen aq më tepër të besojnë, sa herë që ua thua të vërtetën hezitojnë të besojnë! Ky është vesi më i keq i shqiptarëve!
Si pasojë e mashtrimit dhe hipnotizimit nga politikanët mashtrues, shumica e popullatës jetojnë në varfëri, kurse rreth 15 % në varfëri ekstreme! Politikanët e pasluftës, e në veçanti pas pavarësisë së 17 shkurtit 2008 e këndej, politikanët bën jetë sheikësh në Kosovë.
Kërkojë falje për këtë paralele, por më mirë janë ushqyer qentë e politikanëve dhe ish komandantëve milionerë sesa fëmijët e ushtarëve të lirisë dhe njerëzve të rëndomtë!
Përmes procesit të egër të privatizimit, politikanët e pasluftës u kthyen në pronarë faktik të shtetit të Kosovës, duke përvetësuar çdo pronë dhe pasuri publike.
Shumica e liderëve partiakë janë pronarë të tokave bujqësore, të tjerët pronarë të pompave të benzinës dhe restoraneve luksoze, sa të tjerë pronarë të terminaleve doganore dhe gurëthyesve të panumërt në Kosovë.
Përderisa familjet e politikanëve milionerë jetojnë në villa dhe shtëpi luksoze, familjet e të varfërve jetojnë në shtëpi të vjetruara dhe të pabanuara. Përderisa fëmijët e politikanëve milionerë i gëzojnë të gjitha privilegjet e mundshme, fëmijët e familjeve të varfëra përballen me mungesën e kafshatës së gojës dhe kushtet jonormale për jetesë.
Përderisa politikanët dhe ish komandantët milionerë vozitin makina superluksoze të blinduara, luftëtarët e lirisë dhe qytetarët e rëndomtë vozitin makina vjetëruara apo ndonjë biçikletë duke bredhur nga kontejneri në kontejnerë në kërkim të kanaqeve apo ndodnjë sendi me vlerë për siguruar kafshatën e gojës për fëmijët e tyre!
Për dallim nga shumica e fëmijëve që i ndjekin mësimet në institucionet (shkollat) publike, fëmijët e politikanëve dhe ish komandantëve milionerë mësimet i ndjekin në shkollat, kolegjet dhe universitetet private, duke e pasur të garantuar edhe punësimin në momentin e regjistrimit, akoma pa i përfunduar studimet.
Injorohen njerëzit e ditur, përparësi për injorantët
Në shtetin aktualë të kapur dhe uzurpuar nga bandat partiake nuk ka vend për njerëzit e ndershëm, nuk ka vend për njerëzit intelegjent, nuk ka vend për njerëzit që e duan këtë vend!
Në shtetin aktualë, qytetarëve ju pamundësohet çasja e barabartë në studim dhe punësim, të sëmurëve ju pamundësohet çasja e barabartë në sistemin shëndetësorë, bujqëve ju pamundësohet çasja në donacione apo përfitime të subvencioneve nga shteti!
Në shtetin aktualë të kotë e kanë mendjet e ndritura, injorohen kuadrot e afta dhe të specializuara, përparësi kanë injorantët dhe analfabetët që nuk janë në gjendje t’i shkruajnë dy rreshta pa i bërë 20 gabime drejtëshkrimore!
Ndodhë kështu, sepse pushtetarët analfabet (nuk është fjala vetëm për pushtetarët aktualë) nuk i donë të diturit dhe të ndriturit, të drejtit dhe të sinqertit, por i duan servilët dhe puthadorët e pushtetit!
Kësisoji është krijuar një sistem i antivlerave dhe pabarazisë qytetare, ku nuk vlerësohet puna dhe dija, por serviliteti dhe seksualiteti! Vajzat e ndershme dhe të moralshme, sado të afta dhe përgatitura, e kanë të pamundur të punësohen në institucionet publike!
Në shtetin aktualë, idealistët dhe atdhetarët i konsiderojnë të papërshtatshëm dhe të rrezikshëm për sistemin e antivlerave!
Në shtetin aktualë i donë vetëm intelektualët servil dhe të nënshtruar, por jo edhe idealistët e pathyeshëm dhe guximtarë, të cilët i bllokojnë dhe luftojnë me të gjitha mjetet e mundshme!
Për shtetin aktualë të mirë janë vetëm anafabetët funksional dhe servilët që shiten dhe blihen sikurse vezët në treg nga matrapazët e partive politike, pa dallim pushtet dhe opozitë!
Realiteti është e hidhur, subjektet aktuale politike më shumë u ngjajnë bandave mafioze sesa partive politike, kurse politikanët në vend që të jenë në krye të detyrës pse janë zgjedhur, janë kthyer në figura politike në duart e agjenturave vendore dhe ndërkombëtare!
E keqja është, se edhe populli sikur nuk i do njerëzit e ndershëm dhe të moralshëm, i përbuzë dhe nënçmon njerëzit e ditur dhe të ndritur nëse nuk janë të pasur. Pasuria është bërë kriter vlerësimi në Kosovën e sotme!
Ata që nuk kanë arritë ose nuk kanë dashtë me krijuar pasuri të paligjshme, i konsiderojnë të paaftë në familje dhe të padenjë në shoqëri!
Nëse nuk je i zhytur në krim të organizuar dhe korrupsion, në kontrabandë dhe prostitucion nuk arrinë dot të krijosh pasuri dhe as gradim në poste të larta shtetërore. Për fatin e keq, ky është rregulli i sistemit të antivlerave në gjysëm shtetin e Kosovës. Vërtetë është mjerim për një shoqëri kur të paditurit e kontrollojnë shtetin!
Se a do t’iu kthehet ndonjëherë shteti qytetarëve, kur të gjithë do të jenë të barabartë në shkollim dhe punësim, në shëndetësi dhe drejtësi, varet nga vetë qytetarët e këtij vendi!
Andaj, sa më largë partive të dështuara politike dhe sa më shumë ide që promovojmë, jemi më afër ndryshimit epokal.
Para lufte i kemi çmuar idealistët dhe atdhetarët, dijetarët dhe shkencëtarët, por pas lufte ndodhi katandisja e madhe shoqërore, e kemi humbur njerëzoren, bashkë me këtë ndjenjën e solidaritetit dhe humanitetit njerëzorë, i kemi humbur traditat e bukura dhe vlerat çmuara kombëtare. Kthjellu populli im i dashur, kthehu kah vlerat e pastra njerëzore dhe kombëtare!