Katastrofat janë ngjarje të rralla por me një impakt të lartë në jetën e shumë njerëzve. Ato mund të jenë fatkeqësi natyrore ose të shkaktuara nga dora e njeriut. Shumë katastrofa nuk mund të shmangen, veçanërisht katastrofat natyrore, gjithësesi efektet e tyre ekonomike dhe sociale mund të zbuten nëpërmjet një manaxhimi të mirë dhe parandalimi.
Shqipëria paraqitet me një nivel relativisht të lartë vulnerabiliteti ekonomiko-social ndaj katastrofave. Duke qenë se vendi ynë është mjaft i rrezikuar nga katastrofat natyrore, shoqëria duhet të jetë sa më e mbrojtur, përmes sigurimit të pronës apo bizneseve.
Përcaktimi i nivelit të riskut të katastrofave, roli i aktorëve të ndryshëm dhe përcaktimi i një strategjie kombëtare për manaxhimin e riskut të katastrofave janë emergjencë kombëtare. Sigurimi i pronës ka një impakt ekonomik dhe social ndaj katastrofave natyrore në vendin tonë.
Ngjarjet katastrofike të natyrës godasin shumë vende, rajone dhe popullata, por Shqipëria është mjaft e ekspozuar ndaj tyre, veçanërisht nga përmbytjet dhe lëkundjet sizmike. Pasojat e tyre janë jashtëzakonisht të mëdha në disa këndvështrime. Ato janë të shoqëruara me humbje jetësh njerëzish, me dëme kolosale të karakterit ekonomik e social, por edhe me prishjen e trendit në zhvillimin ekonomik të vendeve, si dhe këputjen e zinxhirit të ekuilibrave mikro dhe makro-ekonomike.
Në vendin tonë kanë ndodhur historikisht ngjarje që kanë tronditur rëndë zhvillimin ekonomik e social. Vitet e fundit shpeshtimi i ngjarjeve me natyrë katastrofike dhe rritja e dëmeve të shkaktuara prej tyre, shihen si një kërcënim i madh për zhvillimin ekonomik, social dhe human në shumë zona të prekura ose që rrezikojnë të preken prej tyre.
Megjithëse kanë karakter rastësor kur ndodhin, të shtrira në periudha kohore afatgjata, këto janë ngjarje që kanë një shkallë relativisht të qëndrueshme të probabilitetit të ndodhjes. Problemi që shtrohet është studimi dhe gjetja mekanizmave të menaxhimit të riskut të katastrofave si dhe të krijohen instrumenta dhe mjetete nevojshme për përballimin e dëmeve të shkaktuara prej tyre, kapërcimin e pasojave dhe kthimin ne normalitet. Vlerësimi i riskut të katastrofave, matja e tij dhe teknikat e menaxhimit të këtij risku janë në fokus të studimeve dhe kërkimeve në fushën e manaxhimit të riskut dhe sigurimeve përsa i përket ngjarjeve katastrofike.
Për një vend të vogël dhe me ekonomi relativisht të dobët si Shqipëria, mund të shtrohen disa probleme, të cilat kanë nevojë për shtjellim.
Problemi i parë që është thelbësor për këtë studim, është: A është e ekspozuar ekonomia dhe shoqëria shqiptare ndaj riskut të katastrofave?
Studimi i Bankës Botërore e rendit Shqipërinë në 10 vendet më të ekspozuara ekonomikisht nga risku i shumëfishtë i katastrofave natyrore, me gati 90% të PBB të ekspozuar në risk nga katastrofat natyrore.
Me gjithë ekspozimin e tyre serioz ndaj rrezikut të fatkeqësive të shkaktuara nga impakti i rreziqeve natyrore përfshirë tërmetet, përmbytjet, zjarret në pyje, thatësira dhe shkarja e tokës, shpeshtësia dhe shkalla e dëmit të të cilave ka gjasa të rritet si rezultat i ndryshimeve klimatike, menaxhimi i rrezikut ndaj fatkeqësive natyrore është shumë i dobët në Shqipëri dhe në vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Në këto vende është realisht inekzistent mbulimi i pronave të pronarëve të shtëpive dhe bizneseve të vogla me siguracion në rast fatkeqësish. Përveç vuajtjeve njerëzore dhe humbjeve në njerëz, katastrofat natyrore kanë një impakt të konsiderueshëm në ecurinë ekonomike të vendeve të prekura.
Impakti i sigurimit të pronës do të sillte përfitime të shumta fiskale dhe përfitime për familjet, bizneset dhe qeverinë.
Në rastin e familjeve: Aksesi për një sigurim të përballueshëm në rast fatkeqësish natyrore do të shërbejë si një rrjet i rëndësishëm financiar siguracioni që do të ndihmojë pronarët e shtëpive të mbrojnë kursimet e tyre dhe të evitojnë shkatërrimin financiar.
Në rastin e bizneseve: Aksesi për sigurim ndaj fatkeqësive natyrore do të reduktojë impaktin e padëshirueshëm të rreziqeve natyrore në fitimet e tyre duke reduktuar në këtë mënyrë koston e huamarrjes dhe duke çuar në përmirësimin e vlerësimeve të biznesit.
Në rastin e qeverisë sigurimi i pronës do të ndihmojë në reduktimin e detyrimeve të mundshme financiare që lindin si rezultat i ekspozimit ndaj rreziqeve natyrore. Do të mundësojë akses ndaj likuiditeteve të menjëhershme pas rasteve të fatkeqësive. Do të ndihmojë të zbusë impaktet e padëshiruara nga rreziqet natyrore në stabilitetin fiskal dhe rritjen ekonomike.
Tregu i sigurimeve në Shqipëri tashmë është mjaft i konsoliduar dhe i ofron pronarëve të shtëpive dhe të bizneseve sigurim për katastrofat natyrore me çmim të përballueshëm.
Pas tërmeteve të vitit 2019 u shkaktuan shumë dëme materiale dhe jetësore. Tregu i sigurimeve ju gjend pranë të gjithë të dëmtuarve duke i vlerësuar dëmet e shkatuara dhe duke i likuiduar në kohë rekord. Familjarët dhe bizneset e siguruara ishte e vetmja shtresë që nuk u “stresua” për kostot financiare të dëmeve të shkaktuara. Vlera monetare e dëmeve të paguara vetëm në atë periudhë kalon shifrën e 40 milionë eurove, gjë që tregon konsolidimin dhe gatishmërinë e likuiditetit të tregut financiar në Shqipëri.
Qëllimi i sigurimit të pronës është të minimizojë kostot e mundshme të katastrofave natyrore dhe me natyrë njerëzore në ekonominë dhe shoqërinë shqiptare.
Për fatin e mirë të të gjithë pronarëve apo bizneseve, pajisja me një sigurim prone është ende mjaft e lirë në vendin tonë.
Sigurimi i pronës ndikon në jetën e gjithkujt dhe në gjithë ekonominë e vendit!
Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë