Ylli i popit turk, Gulsen u arrestua për “nxitje të urrejtjes dhe armiqësisë” pasi bëri një shaka për shkollat fetare në Turqi, sipas agjencisë së lajmeve turke.
Kompozitorja dhe këngëtarja 46-vjeçare, emri i plotë i së cilës është Gulsen Colakoglu u arrestua në banesën e saj në Stamboll mbrëmjen e së enjtes dhe u dërgua në paraburgim në pritje të gjyqit.
Në prill, në një koncert në Stamboll, Gulsen tha se “perversitetet” e një prej muzikantëve të saj ishin rezultat i faktit se ai ndoqi një shkollë fetare. Gjatë marrjes në pyetje, ajo hodhi poshtë akuzat dhe tha se “respekton absolutisht vlerat e vendit të saj”.
Arrestimi shkaktoi zemërim në rrjetet sociale. Kritikët e qeverisë thanë se masa ishte një përpjekje e presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan për të konsoliduar mbështetjen nga fetarët dhe konservatorët e tij përpara zgjedhjeve që do mbahen pas 10 muajsh në Turqi.
Zëdhënësi i partisë në pushtet, Omer Çelik, ka vlerësuar se “shkaktimi i urrejtjes nuk është formë arti”. Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan dhe shumë anëtarë të partisë së tij ndoqën shkolla fetare, numri i të cilave është rritur që kur Erdogan erdhi në pushtet.
Kemal Kilicdaroglu, lideri i partisë opozitare turke, i bëri thirrje gjykatësve dhe prokurorisë që të lironin Gulsenin.
Me anë të një postimi në Twitter ai tha: “Mos e tradhtoni ligjin dhe drejtësinë; lirojeni artisten menjëherë”!
Ndër ata që bënë thirrje për lirimin e Gulsen ishte edhe këngëtari i falshëm turk, Tarkan.
“Sistemi ynë ligjor, i cili mbyll një sy ndaj korrupsionit, hajdutëve, atyre që shkelin ligjin dhe masakrojnë natyrën, ata që vrasin kafshët dhe ata që përdorin fenë për të polarizuar shoqërinë përmes ideve të tyre fanatike – e ka arrestuar Gulsenin pa asnjë shkak”, shkroi Tarkani në Twitter./REL