Ballina Rajoni Vulin: Jemi shteti i vetëm në Evropë që s’jemi pjesë e histerisë...

Vulin: Jemi shteti i vetëm në Evropë që s’jemi pjesë e histerisë anti-ruse

 

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandar Vulin, tha gjatë një takimi në Moskë me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov, se “Serbia është i vetmi shtet në Evropë që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë dhe nuk është bërë pjesë e histerisë anti-ruse”, njoftoi Ministria serbe për Punë të Brendshme.

Vulin tha po ashtu se Serbia, e udhëhequr nga presidenti Aleksandar Vuçiq, “nuk harron shekujt e vëllazërisë” me Rusinë dhe shprehu “mirënjohje të madhe” ndaj Moskës “që në mënyrë të vazhdueshme respekton sovranitetin dhe integritetin territorial të Serbisë”.

Ndërkaq, kryediplomati rus, Sergei Lavrov, tha se shteti i tij do të vazhdojë t’i ofrojë mbështetje Serbisë për të ruajtur integritetin e saj territorial, u tha në njoftimin e Ministrisë së Brendshme të Serbisë.

Vulin e cilësoi Lavrovin si “mik të sinqertë” të Serbisë dhe popullit serb dhe tha se i “vjen keq” që kryediplomatit rus nuk iu mundësua që të vizitonte Beogradin në qershor “për shkak të vullnetit të shteteve të tjera”. Sipas Vulinit, moslejimi që Lavrov të vizitonte Serbinë ishte “shkelje e të gjitha parimeve të ligjit ndërkombëtar”.

Vulin po ashtu tha se Serbia “nuk do të harrojë kurrë” ndihmën e Rusisë dhe të presidentit Vladimir Putin, “i cili me ftesë të presidentit Vuçiq, parandaloi miratimin e rezolutës britanike në Kombet e Bashkuara më 2015, sipas të cilës, serbët do të ishin shpallur komb gjenocidal”.

Gjatë takimeve në Moskë më 22 gusht, Vulin u takua edhe me drejtorin e përgjithshëm të Rostech, Sergey Chemezov, dhe drejtorin e Rosoboronexport, Alexander Mikheyev, me të cilët ka biseduar për vazhdimin e bashkëpunimit midis Ministrisë së Brendshme dhe kompanisë Rostech.

Sipas njoftimit, Vulin tha se “pajisjet teknike të blera nga kompania Rostech janë jashtëzakonisht të rëndësishme për përmirësimin e kapaciteteve të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe mundësojnë rritjen e efikasitetit të policisë serbe”.

Rostech është kompani shtetërore e pajisjeve të mbrojtjes dhe teknologjisë, në të cilën përfshihen prodhuesit më të mëdhenj të pajisjeve ushtarake dhe teknologjike të Rusisë.

Që nga viti 2015, kjo kompani është në listën e sanksioneve të Departamentit amerikan të Thesarit dhe të Perëndimit pasi aneksimit të Gadishullit ukrainas të Krimesë nga Rusia.