Ballina Bota Ministri i Jashtëm i Tajvanit: Kina s’mund të diktojë politikën tonë të...

Ministri i Jashtëm i Tajvanit: Kina s’mund të diktojë politikën tonë të jashtme

 

Ministri i Jashtëm i Tajvanit thotë në një intervistë për Zërin e Amerikës se delegacionet ndërkombëtare janë “më se të mirëpritur” për të vizituar Taipein. Komentet e ministrit Joseph Wu pasojnë reagimin e ashpër të Kinës ndaj vizitës së zonjës Pelosi në Tajvan. Korrespodenti Bill Gallo raporton nga Taipei.

Ushtria e Kinës i është afruar Tajvanit më shumë se kurrë më parë, duke e rrethuar ishullin dhe duke treguar forcën. Pekini madje bëri stërvitje duke përdorur edhe raketa balistike që kaluan sipër Tajvanit. Gjithë zemërimi i Kinës erdhi pas vizitës së Kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA, Nancy Pelosi në Taipei.

Por në një intervistë ekskluzive për Zërin e Amerikës, ministri i Jashtëm i Tajvanit thotë se Kina nuk do ta pengojë ishullin e vetëqeverisur të mirëpresë delegacionet e ardhshme.

“Kushdo që dëshiron të vijë në Tajvan për të treguar mbështetjen e tij, është më se i mirëpritur të na vizitojë. Dhe kjo nuk duhet të ndalet nga Kina”, thotë ai për Zërin e Amerikës.

Ligjvënës të tjerë të lartë amerikanë kanë thënë tashmë se ata gjithashtu së shpejti do të bëjnë udhëtime solidariteti në Tajvan duke rrezikuar një reagim më të furishëm nga Pekini.

“Ne duhet të kujtojmë se nëse po bëjmë gjërat e duhura, zemërimi kinez nuk duhet të na ndalojë ta bëjmë këtë. Ata gjithmonë mund të gjejnë justifikime për të kërcënuar ushtarakisht Tajvanin”, thotë Ministër i Jashtëm i Tajvanit, Joseph Wu.

Edhe pse Kina thotë se stërvitjet e saj ushtarake kanë përfunduar, kërcënimi nuk ka mbaruar. Avionët e Kinës vazhdojnë të kalojnë kufirin de facto në ngushticën e Tajvanit.

“Kjo është një shenjë e qartë se Kina po shkatërron status quo-në dhe paqen dhe stabilitetin në këtë zonë. Dhe unë mendoj se populli tajvanez gjithashtu po e vëzhgon këtë.”

Një sondazh i fundit tregoi se vetëm 1.6% e tajvanezëve mbështesin bashkimin me Kinën. Disa diplomatë kinezë kanë përdorur kërcënime duke sugjeruar që tajvanezët të “riedukohen”.

I pyetur për ato komente shefi i diplomacisë së Tajvanit reagoi duke qeshur.

“Liria dhe demokracia janë pjesë e jetës sonë. Dhe ne besojmë në këtë. Dhe nëse qeveria kineze dëshiron ta ndryshojë këtë, populli tajvanez do të thotë: Jo.”

Qeveria e Tajvanit kundërshton gjithashtu kërcënimet e Kinës, duke thënë se ajo nuk do të pengohet të kryejë politikën e saj të jashtme.