Beogradi në Serbi dhe Tirana në Shqipëri janë dy kryeqytetet më të shtrenjta në rajon, sipas indeksit të mesviti të Numbeo, database më e madhe e kostove të jetesës.
Beogradi ka një indeks prej 38.8 % dhe Tirana 38.37%. Ky indeks mat koston e jetesës në raport me qytetin e Nju Jorkut, që e ka këtë tregues 100%.
Më e lira në rajon është Prishtina e Kosovës, me indeksin në vlerën 26.3% e kostos së jetesësnë Nju Jork, e ndjekur nga Shkupi, në Maqedoninë e Veriut (32.94%), Podgorica në Mal të Zi (34.52%), Sarajeva në Bosnjë Hercegovinë (35.34).
Indeksi i kostos së jetesës (pa qiranë) është një tregues relativ i çmimeve të mallrave të konsumit, duke përfshirë produktet ushqimore, restorantet, transportin dhe shërbimet komunale. Indeksi i kostos së jetesës nuk përfshin shpenzimet e akomodimit si qiraja ose hipoteka. Nëse një qytet ka një Indeks të Kostos së Jetesës prej 120, kjo do të thotë se Numbeo ka vlerësuar se ai është 20% më i shtrenjtë se Nju Jorku (duke përjashtuar qiranë).
Numbeo mat dhe indeksin e qirasë, një vlerësim i çmimeve të apartamenteve me qira në qytet në krahasim me qytetin e Nju Jorkut. Për Tiranën, ky indeks është 10.8%, për Beogradin 13.73%, për Shkupin 7%, për Podgoricën 9.24%, për Prishtinën 8.32% dhe për Sarajevën 7.46%.
Në indeksin e restoranteve, që sërish është një krahasim i çmimeve të vakteve dhe pijeve në restorante dhe bare në krahasim me Nju Jorkun, më i liri është Prishtina, me 19.6% të mesatares së Nju Jorkut, të ndjekur nga Sarajeva (23.6%), Podgorica (25%), Tirana (28.9%). Më i shtrenjti është Beogradi, ku një vakt në restorant kushton mesatarisht sa 35% në Nju Jork.
Të blesh në supermarkete është më shtrenjtë ne Tiranë dhe Podgoricë, me 31% të mesatares së Nju Jorkut. Më pas renditet Sarajeva me 30.4%. Më lirë është në Prishtinë (23.5%) dhe në Podgoricë (25%),
Qytetet më të shtrenjtë në botë ndodhen në Zvicër, si Basel, ku kosto e jetesës është sa 120% e mesatares së Nju Jorkut Zyrihu (118%). Koston më të ulët të jetesës në raport me Nju Jorkun e kanë qytete në Indi, Pakistan, Sri Lanka, Kolumbi etj (15-20%).
Vala globale e rritjes së çmimeve ka shtuar kostot e jetesës kudo në botë. Ky shtrenjtim, që në pjesën më të madhe nuk po shoqërohet me rritje të të ardhurave pritet që të rrisë varfërinë kudo në botë./Monitor