Ballina Kulinari Receta e ditës/ Supë e ftohtë me bukë dhe bajame

Receta e ditës/ Supë e ftohtë me bukë dhe bajame

 

Elegante dhe e ftohtë, kjo supë njihet edhe me emrin “gaspaço e bardhë”. Në këtë recetë buka sjell një aromë delikate, por më shumë se çdo gjë tjetër, siguron niseshtenë që mundëson trashjen e supës. Megjithatë përbërësi kryesor i vërtetë janë bajamet, të cilat i japin supës ngjyrën e bardhë dhe hudhrat nga ana tjetër godasin me shijen e tyre.

Më parë kjo supë përgatitej duke i shtypur përbërësit me një mjet të posatshëm, por sot mikseri e ka thjeshtuar dhe përshpejtuar këtë proçes.

Historikisht, shumica e supave ku përbërësi kyresor është buka, janë krijuar për të mos çuar dëm bukën e ndenjur. Por në përgjithësi nuk ka rëndësi nëse buka është apo jo e ndenjur, sepse pasi të jetë ngopur plotësisht me lëng, ju nuk do mund ta dalloni ndryshimin.

AgroWeb.org ju njeh më poshtë me hapat e përgatitjes së kësaj recete speciale, e cila nuk ka nevojë për tu gatuar.

Përbërësit:

170g bajame pa lëkurë

3 gota me ujë të ftohtë

2 thelpinj hudhër

225 g bukë fshati e freskët (rreth 3 gota)

Kripë për shije

7 ml uthull

22 ml vaj ulliri

Rrush jeshil pa fara

Bajame të grimcuara dhe të pjekura lehtë

Gjethe nenexhiku të prera hollë, për zbukurim

Përgatitja:

Në një mikser, bashkoni bajamet, ujin dhe hudhrën. Përziejini me shpejtësi të lartë derisa përbërësit të bashkohen plotësisht me njëri-tjetrin. Shtoni më pas bukën dhe përziejeni derisa buka të copëtohet plotësisht.

Spërkateni me kripë, e më pas me uthull dhe vaj ulliri. Nëse përdorni një mikser më pak të fuqishëm, mund ta kaloni supën përmes një site me rrjetë të imët. Por nëse keni një mikser të fuqishëm, kjo nuk do të jetë e nevojshme.

Transferoni supën në një enë, mbylleni me kapak dhe vendoseni në frigorifer derisa të ftohet, për të paktën 2 orë e deri në 2 ditë.

Para se ta shërbeni, prisini rrushin në copa më të vogla dhe bashkojeni me bajamet e grimcuara dhe të pjekura lehtë, nenexhikun dhe vajin e ullirit. Përzierjen hidheni në supë dhe më pas përziejeni atë.

Kontrolloni konsistencën, nëse dëshironi mund ta holloni me ujë të ftohtë. Shtoni erëza nëse dëshironi dhe servireni supën të ftohtë.