Rreth njëqind kilometra ndajnë ishullin grek Lesbos dhe metropolin turk Izmir. Qyteti është i vendosur në një gji të gjerë që shtrihet në detin e hapur të Egjeut verilindor. Vetëm disa kilometra larg bregdetit turk, një vijë e padukshme kalon në mes të detit: kufiri i jashtëm evropian. Atje përfundon Turqia dhe fillon Greqia.
Por nuk ka qenë gjithmonë kështu. Kufijtë e sotëm bazohen në Traktatin e Lozanës të vitit 1923. Izmiri, i cili në greqisht quhet Smyrni, ka qenë qendër e kulturës greke për shekuj me radhë. Po kështu, gjatë Perandorive Bizantine dhe pasuese otomane, shumë turq jetuan në ato që tani janë ishujt dhe kontinenti grek. Rënia e Perandorisë Osmane në fund të Luftës së Parë Botërore i dha fund bashkëjetesës multietnike. Në Izmirin e sotëm, dhjetëra mijëra grekë u vranë nga ushtria turke dhe qyteti u shndërrua në gërmadha.
Traktati i Lozanës kërkonte një shkëmbim popullsie: rreth gjysmë milioni turq që kishin jetuar më parë në Greqi duhej të kalonin në shtetin turk të sapothemeluar. Ndërsa mbi një milion grekë duhej të linin atdheun e tyre në territorin turk dhe të shkonin në Greqi. Një traumë që tani në Greqi përmendet si “katastrofa e Azisë së Vogël” – dhe njëqind vjet më vonë shkakton vazhdimisht polemika.
Presidenti aktual i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, në veçanti e di se si të ndezë zemërimin në anën evropiane. Nga kryeqyteti turk, Ankaraja, vijnë vazhdimisht deklarata që hedhin dyshime mbi Traktatin e Lozanës, e bashkë me të edhe kufijtë e jashtëm të BE-së. Fantazitë e Erdoganit për një perandori turke nuk ndalen në pretendimet për disa nga ishujt më të mëdhenj grekë, duke përfshirë Samos, Rodos dhe Lesbos.