Në ditën e fundit të takimit të nivelit të lartë të NATO-s në Madrid, Presidenti Biden foli në një konferencë shtypi për planet e qeverisë amerikane për rritjen e pranisë ushtarake në Evropë. Ai deklaroi se do të mbrohet çdo centimetër territor i NATO-s. Nga ana e saj, aleanca po planifikon të shtatëfishojë forcat e saj të reagimit të shpejtë.

NATO e konsideron takimin e Madridit si tepër të rëndësishëm për të ardhmen e aleancës në një botë më konkuruese dhe më të rrezikshme. Shtetet e Bashkuara u zotuan të rrisin më tej praninë e forcave amerikane në Evropë. Presidenti Joe Biden deklaroi sot në një konferencë për shtyp se do të mbrohet çdo centimetër territor i NATO-s.

“Nga ana jonë, Shtetet e Bashkuara po veprojnë ekzaktësisht siç kisha thënë se do të vepronin, nëse Putini do të fillonte sulmin. Po forcojmë praninë e forcave tona në Evropë. Po dislokojmë anije të tjera në Spanjë. Po dislokojmë njësi të tjera të mbrojtjes ajrore në Gjermani. Më shumë (avionë) F-35 në Britani. Dhe për të forcuar krahun tonë lindor, një shtab të ri të përhershëm në Poloni për Korpusin e 5-të të Ushtrisë Amerikane; një brigadë të re forcash luftarake në Rumani; dislokime të mëtejshme në vendet balltike. Gjërat po ndryshojnë, për t’iu përshtatur botës që kemi sot”, tha Presidenti Biden.

Presidenti Biden gjatë konferencës për shtyp (30 qershor 2022)


Presidenti Biden gjatë konferencës për shtyp (30 qershor 2022)

Gjithashtu, NATO po planifikon një rritje me shtatë herë të forcës së saj të reagimit të shpejtë, në rreth 300 mijë trupa.

“Është pjesë e riorientimit të NATO-s, pas dekadash operacionesh ndërkombëtare për menaxhimin e krizave, për t’u fokusuar tek mbrojtja e territorit aleat”, thotë Charly Salonius-Pasternak, nga Instituti Finlandez i Marrëdhënieve Ndërkombëtare.

NATO gjithashtu pritet të zgjerohet. Finlanda dhe Suedia morën ftesë zyrtare pasi Turqia hoqi veton e saj në prag të takimit. Secili vend anëtar duhet të miratojë kërkesat proces që mund të përfundojë edhe brenda disa javëve.

“Është një nga elementët që e bënë Madridin një takim historik. Ishte e mrekullueshme, që u arrit që në fillim. Anëtarësimi i Finlandës dhe Suedisë në NATO mundëson rikonceptimin e mbrojtjes së Evropës Veriore”, thotë zoti Salonius-Pasternak.

Pozicionimi i ri strategjik i NATO-s paraqitet në dokumentin “Koncepti Strategjik” të miratuar gjatë sesionit të së martës.

“E bën të qartë se Rusia përbën rrezikun më domethënës dhe më të drejtpërdrejtë për sigurinë tonë”, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jen Stoltenberg.

Ndërsa NATO forcon mbrojtjen, Ukraina vazhdon të përballet me forcën e plotë të sulmit rus.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy iu drejtua samitit nga Kievi.

Kjo nuk është një luftë që po bën Rusia vetëm kundër Ukrainës. Kjo është një luftë për të drejtën për të diktuar rrethanat në Evropë – për atë se si do të jetë rendi botëror në të ardhmen”, tha zoti Zelenskyy.

NATO ra dakord për një paketë të re afatgjatë mbështetjeje për Ukrainën. Vendet anëtare të NATO-s po dërgojnë armatime të rënda, por Ukraina thotë se ka nevojë për shumë më tepër.

U është dashur të bëjnë shumë trajnime fillestare. E kanë bërë këtë. Disa sisteme janë dorëzuar. Pra, po jepen pak nga pak, për fat të keq”, thotë Jim Townsend, ish-Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Mbrojtjes për Evropën.

Anëtarëve të NATO-s iu bashkuan vendet aleate nga rajoni Indo-Paqësor: Japonia, Koreja e Jugut, Australia dhe Zelanda e Re. Për herë të parë, Koncepti i ri Strategjik i NATO-s përmend Kinën.

Shohim një partneritet strategjik të thelluar mes Moskës dhe Pekinit, dhe një vendosmëri në rritje të Kinës; politikat e saj shtrënguese kanë pasoja për sigurinë e aleatëve (në NATO) dhe partnerëve tanë“, tha zoti Stoltenberg.

Takimi i nivelit të lartë në Madrid shënon një moment historik për NATO-n – në përballjen me sfida të reja, që nga ndryshimet klimatike dhe deri tek Kina. Por Koncepti i saj i ri Strategjik është i qartë – se Rusia paraqet rrezikun më të madh të sigurisë – dhe aleanca duhet t’i përshtatet këtij kërcënimi.