Vera ka mbërritur, por, në shumë vende kjo nuk garanton domosdoshmërisht rrezet e diellit.
Kjo është arsyeja pse këtu mund të gjeni qytetet me më shumë diell në Europë, ku ata që po kërkojnë rrezet e diellit nuk do të zhgënjehen.
Granada, Spanjë
Granada, i cili shtrihet rrëzë maleve të Sierra Nevada, është një nga qytetet me më shumë diell në kontinent, me mesatarisht 341 orë me diell në muaj.
Ai është i njohur për kulturën andaluziano-maure, e cila është reflektuar në ndërtesat në lagjen Albaicin. Mos e humbisni kompleksin e Pallatit Alhambra, një relike e epokës islame të rajonit dhe monumenti më i vizituar i Spanjës.
Las Palmas, Ishujt Kanare, Spanjë
Las Palmas, në ishullin Gran Canaria, është qyteti më i madh në Arkipelagun e Ishujve Kanare dhe ka sasi të mëdha të rrezeve të diellit – mesatarisht rreth 341 orë në muaj, njësoj me Granadën. Las Palmas ka një nga shëtitoret më të bukura buzë detit në Europë.
Qyteti karakteristik i vjetër, i quajtur Vegueta, ia vlen të vizitohet. Vizitorët duhet me patjetër të kalojnë një ditë në plazhin Las Canteras.
Nisë, Francë
Me një klimë të butë gjatë gjithë vitit dhe 342 orë me diell në muaj, ky qytet në Rivierën Franceze ka qenë prej kohësh një destinacion i famshëm për adhuruesit e diellit.
Përveç arkitekturës së bukur, plazhit të qytetit dhe Promenade des Anglais, Festivali vjetor i Xhazit në Nisë është gjithashtu një ngjarje që nuk duhet humbur. Çdo korrik, sheshi historik Place Massena shndërrohet në një hapësirë të dedikuar për këtë koncert.
Valencia, Spanjë
Për disa pushime që ofrojnë një ndërthyrje të jetës në plazh dhe asaj në qytet, qyteti spanjoll i Valencias është ideal. Ky qytet është i famshëm për gatimin e njohur paella dhe ka shumë restorante që e shërbejnë atë në lagjen El Carmen.
Mos humbisni afresket mbresëlënëse në kishën e San Nicolas dhe tregun Mossen Sorell. Gjithashtu, do të ishte mirë të shijoni një sangria në një nga baret në Plaza del Tossal.
Messina, Itali
Qyteti i tretë më i madh i Sicilisë është qyteti me më shumë diell i ishullit dhe ka mesatarisht 345 orë me diell në muaj. Ky qytet është gjithashtu i pasur histori. Tërmetet e shumta ndër shekuj kanë lënë gjurmën e tyre në qytetin port, i cili shtrihet përballë Italisë Kontinentale.
Në veçanti, kisha mbresëlënëse Santissima Annunziata dei Catalani e shekullit XII arriti t’i bëjë ballë një tërmeti famëkeq në vitin 1908.
Malaga, Spanjë
Duke pasur 345 orë me diell në muaj, destinacioni popullor i pushimeve në Spanjën jugore është një vend ideal për të marrë disa rreze. Malaga ofron një sërë atraksionesh kulturore, si kisha dhe muze, dhe ishte gjithashtu vendlindja e artistit Pablo Picasso.
Vizitorët mund të pushojnë në një nga plazhet e shumta në bregdet ose të ngjiten nëpër Montes de Malaga, një park natyror prej 5,000 hektarësh aty pranë.
Murcia, Spanjë
Qyteti i tretë me më shumë diell në Europë, me një mesatare prej 346 orësh me diell në muaj, është Murcia, e cila ndodhet në pjesën lindore të Costa Calida të Spanjës.
Për fat të mirë, ju mund të freskoheni duke bërë not përgjatë brezit bregdetar prej 21 kilometrash të La Manga del Mar Menor, ose në plazhet e Kartagjenës.
Zona përreth Murcias është e njohur edhe për spa-të e saj, shumë prej të cilave furnizohen nga burimet e nxehta të rajonit.
Katanja, Itali
Qyteti portual sicilian i Katanjas në bregun lindor të ishullit është qyteti i dytë me më shumë diell në Europë, me 347 orë me diell në muaj.
Arkitektura mbresëlënëse e stilit barok në Katanja, duke përfshirë ndërtesat në Piazza del Duomo në qendër të qytetit, e bëri atë një vend të Trashëgimive Botërore të UNESCO-s në vitin 2002.
Përveç jetës së mrekullueshme të natës dhe ushqimit të shkëlqyer, vizitorët mund të pushojnë edhe në plazhin e qytetit, Playa di Catania.
Alicante, Spanjë
Dhe tani, qyteti me më shumë diell në Europë është … Alicante, në Spanjë! Adhuruesit e diellit do të ndihen si në parajsë këtu, në Costa Blanca – Alicante, me 349 orë me diell në muaj.
Por, me disa plazhe të mrekullueshme dhe me një qytet të vjetër të bukur të pasur me ndërtesa historike, ka shumë më tepër atraksione për të shijuar në këtë vend sesa thjesht rrezet e diellit.
Provoni gatimin tradicional të orizit si arroz negro, ose orizi i zi me fruta deti. / Deutsche Welle