Shtetet e Bashkuara janë të përqëndruara që të sigurohen se Ukraina mund të vazhdojë të mbrojë veten dhe sovranitetin e saj, tha ish-zëdhënësi i Pentagonit dhe koordinatori për komunikim i Këshillit të Sigurisë Kombëtare John Kirby në një intevistë për Zërin e Amerikës. Ai përmendi faktin se Shtetet e Bashkuara janë donatori më i madh i Ukrainës dhe se dërgesat në armëve e ndihma financiare po pengojnë përparimin e forcave ruse në terren. Zoti Kirby tha se SHBA-të duan që Ukraina të fitojë luftën, por ai shtoi se autoritetet ukrainase janë ato që përcaktojnë se si duhet të përkthet ajo për vendin, në një kohë kur rajoni i Donbasit rrezikon të përballet me luftime për një kohë të gjatë.
Ish-zëdhënësi i Pentagonit, tashmë koordinator për komunikimin strategjik në Këshillin e Sigurisë Kombëtare John Kirby, thotë se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të ndihmojnë Ukrainën në luftën kundër Rusisë, me aq sa kanë mundësi dhe sa më shpejt të munden.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës zoti Kirby thotë se qëllimi i dërgesave në armë e ndihmave financiare është që Kievi të sigurojë aftësi mbrojtëse nga agresioni rus.
“Jemi të përqëndruar që të sigurohemi se Ukraina mund të vazhdojë të mbrojë veten, sovranitetin, popullin dhe integritetin territorial të saj”, tha ai.
Në përgjigje të kritikave se Shtetet e Bashkuara dhe vendet tjera perëndimore nuk kanë bërë mjaftueshëm për ta ndihmuar Kievin, zoti Kirby theksoi se Uashingtoni është dhuruesi më i madh i ndihmave për ushtrinë ukrainase dhe se sistemet e dhuruara, sikurse sistemi i lëvizshëm i artilerisë raketore “HIMARS”, armët e vogla dhe municionet po pengojnë me sukses përparimin e forcave ruse në terren.
“Ne jemi padyshim dhuruesi më i madh i ndihmave për sigurinë e Ukrainës sesa çdo komb tjetër në botë, me pothuajse 6 miliardë dollarë të dhuruara që nga fillimi i sulmit. Pra, shumë dërgesa po futen atje dhe presidenti e ka bërë të qartë se ne jemi të përkushtuar që ndihmat të vazhdojnë”, tha zoti Kirby.
Pas dështimit për marrjen nën kontroll të Kievit, Kremlini njoftoi se do ta përqëndrojë sulmin e saj në lindje të Ukrainës.
Zoti Kirby tha se ekziston mundësia që rajoni i Donbasit të përballet me luftime për një kohë të gjatë.
“Duhet të kujtojmë se kjo është një pjesë e Ukrainës për të cilën rusët dhe ukrainasit kanë luftuar nga viti 2014. Ne e shohin 24 shkurtin si një pikë kthese, dhe ishte, por ushtarët ukrainas po vriteshin dhe po luftonin për vendin e tyre prej vitesh. Pra, kjo është një pjesë e vendit që të dyja ushtritë e njohin mirë. Rusët po përparojnë, por jo në mënyrë të qëndrueshme. Ukrainasit po rezistojnë. Sigurisht se mund të përfundojë në një konflikt të zgjatur”.
Marrja e plotë e kontrollit nga Rusia në rajonin e Donbasit, do të shënonte një fitore strategjike për Moskën, e cila do të krijonte një lidhje mes Rusisë dhe Krimesë, ishullin që Rusia e aneksoi më 2014.
Por çfarë mund të konsiderohej fitore për Ukrainën, në një situatë kur luftimet në rajonet lindore mund të vazhdojnë? Zoti Kirby thotë se përgjigjja u takon autoriteteve në Kiev.
“Duam që Ukraina të ketë sukses në fushën e betejës dhe në tryezën e negociatave, nëse do të vijë momenti. Natyrisht, tani nuk jemi në atë fazë. Por ne besojmë se është Presidenti Zelenskyy është ai që mund ta përcaktojë se si do të duhet të duket fitorja. Është vendi i tij. Ai është komandanti i përgjithshëm i forcave ukrainase dhe ne e respektojmë këtë. Ndryshe nga rusët, ne respektojmë vendimin e votuesve ukrainas për ta zgjedhur atë”, tha zoti Kirby.
I pyetur nëse agjencitë amerikane të zbulimit kanë informacione të mjaftueshme rreth operacioneve ukrainase, zoti Kirby tha se marrëdhëniet me ushtrinë ukrainase janë të forta dhe se autoritetet amerikane janë në kontakt të vazhdueshëm me ta. Ai tha se qëllimi është që të kuptohen më mirë nevojat e Ukrainës në luftë. Zoti Kirby shtoi se Ukraina ka qenë e hapur dhe e sinqertë me Shtetet e Bashkuara dhe mbarë botën rreth situatës në vend.
Lufta në Ukrainë do të jetë një nga temat kryesore të takimit të nivelit të lartë të NATO-s që mbahet më 29 dhe 30 qershor në Madrid.