Kancelari gjerman Olaf Sholz u bëri thirrje të premten Kosovës dhe Serbisë që të punojnë për një marrëveshje e cila e zgjidhë edhe çështjen e njohjes së Kosovës, duke theksuar se vende që nuk e njohin njëri tjetrin nuk mund të bëhen anëtarë të Bashkimit Evropian.
Ai i bëri këto komente pas takimit në Prishtinë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në fillim të vizitës së tij në rajon, gjatë së cilës më vonë gjatë ditës qëndroi edhe në Beograd.
Kancelari Scholz tha se përparësi e qeverisë së tij është të ndihmojë vendet e Ballkanit Perëndimor në procesin e integrimeve evropiane.
“Me rëndësi për Kosovën është që bisedimet me Serbinë të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian të përparojnë dhe në kohëra si kjo, vlerat e sigurisë dhe lirisë bëhen edhe më të qarta sërish dhe një arsye e rëndësishme që Kosova dhe Serbia përmes një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme të gjejnë një zgjidhje politike e cila kontribuon në qëndrueshmërinë rajonale”, tha kancelari gjerman, duke theksuar se një marrëveshje politike në mes të dy vendeve është një kusht i rëndësishëm për investime dhe vende pune dhe për ardhmërinë e të rinjve në Kosovë.
“Është e qartë që marrëveshja në fund duhet të zgjidhë edhe çështjen e njohjes së Kosovës sepse është e papërfytyrueshme që dy vende që nuk e njohin njëri tjetrin të bëhen anëtarë të Bashkimit Evropian. I lus sot të dyja palët për një zotim të qartë për dialog, të dyja palët duhet t’i qasen njëri tjetrit dhe të punojnë së bashku edhe nëse kjo duket e vështirë”, tha kancelari Sholz.
Duke folur përkrah kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, kancelari Sholz tha se Gjermania po punon për të bindur partnerët e saj evropianë se Kosova i ka përmbushur kriteret për liberalizimin e vizave.
Kancelari Sholz tha se me kryeministrin Kurti biseduan edhe për bashkëpunimin rajonal në Ballkanin Perëndimor dhe procesin e Berlinit, duke paralajmëruar se në vjeshtë do të organizojë një konferencë në Berlin për këtë proces.
Kryeministri Kurti ritheksoi mbështetjen për procesin e Berlinit, ndërsa i bëri thirrje kancelarit gjerman që të ndihmojë Kosovën në aspiratat e saj për anëtarësim në mekanizma të rëndësishëm ndërkombëtar.
“Kërkesa për mbështetje nga Gjermania për anëtarësim në Këshillin e Evropës ka hasur në mirëkuptim të plotë, do të vazhdojmë edhe me aspiratën tonë me statusin e kandidatit në Bashkimin Evropian ku planifikojmë të aplikojmë në fund të këtij viti. Nevojë e madhe dhe urgjente është anëtarësimi i Kosovës në programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s dhe sërish kërkova që Gjermania si anëtare e NATO-s të na mbështes në rrugëtimin tonë të anëtarësimit në mekanizmin shumë të rëndësishëm të sigurisë”, tha kryeministri Kurti.
Agresioni rus në Ukrainë dhe pasojat e tij ishin pjesë e diskutimeve ndërmjet kancelarit Sholz dhe kryeministrit Kurti. Kancelari gjerman e vlerësoi bashkimin e Kosovës me sanksionet perëndimore kundër Moskës. Serbia, ndërkaq mbetet i vetmi vend në rajon që nuk u është bashkuar sanksioneve për shkak të lidhjeve të saj me Rusinë. Vizita e kancelarit Sholz në rajon ndodhë pak ditë pasi ministri i Jashtëm rus, Segey Lavrov u detyrua të anulojë një vizitë në Beograd, meqë vendet përreth Serbisë nuk i lejuan fluturimin nëpër hapësirën e tyre ajrore.
Kancelari gjerman tha se kushdo që dëshiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, duhet t’i pranojë të gjitha kushtet.
“Nuk po flas këtu vetëm për rregullat e përbashkëta, duhet t’i pranojë të gjitha; legjislacionin, demokracinë, hapjen, transparencën, por edhe që të kemi një politikë të përbashkët kundrejt vendeve tjera dhe këtu përfshihet edhe regjimi i sanksioneve të cilin e ka vendosur Bashkimi Evropian ndaj Rusisë. Kjo duhet të pranohet nga një vend që synon të anëtarësohet në Bashkimin Evropian dhe për këtë është e rëndësishme që një vend që synon BE-në nuk duhet të ketë iluzione për sa i përket kësaj”, tha kancelari Sholz.
Vuçiç i befasuar me kërkesën e kancelarit Sholz për njohjen e ndërsjellë Kosovë – Serbi
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, u shpreh i befasuar të premten me kërkesën e kancelarit gjerman Olaf Sholz për njohjen e ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Askush asnjëherë nuk ka folur për njohje të ndërsjellë, përveç amerikanëve të cilët këtë doktrinë e kanë vendosur tre vjet më parë”, tha presidenti serb gjatë një konference të përbashkët me kancelarin Sholz, duke theksuar se gjërat po ndryshojnë në përputhje me atë që po ndodh “në disa pjesë të tjera të Evropës”.
“Nëse mendoni se duhet të na kërcënoni sepse ne duam të ruajmë rendin e OKB-së, ose të arrijmë një kompromis, nuk kemi asgjë kundër. Ju bëni punën tuaj, ne e bëjmë punën tonë. Mos u zemëroni që qëndrimi ynë ndaj Kosovës është i ndryshëm nga i juaji. Aq sa ju e doni tërësinë tokësore të Ukrainës, aq edhe serbët e duan tërësinë tokësore të Serbisë”, tha presidenti serb.
Ai ritheksoi se Serbia është e gatshme për një zgjidhje kompromisi me Kosovën dhe është e vetëdijshme që zgjidhja është kusht për të ardhmen evropiane të saj.
Presidenti serb tha se kancelari gjerman kërkoi prerazi që Serbia t’u bashkohet sanksioneve kundër Moskës, për të cilat tha ai, Beogradi ka një këndvështrim tjetër.
“Një nga arsyet është kundërpyetja që mund t’u bëj: cili është ndryshimi midis një sulmi ndaj Serbisë pa miratimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe një sulmi ndaj Ukrainës pa vendim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së? Thjesht më shpjegoni se cili është ndryshimi. Ne serbët i kujtojmë sanksionet dhe nuk besojmë se janë gjithmonë opsioni i duhur, por mos harroni se ne kemi pasur lidhje të ndryshme me Rusinë për shekuj me radhë, si dhe çështje të tjera, dhe nuk e kishim problem të ishim të drejtë dhe duke kritikuar shkeljet e ligjit ndërkombëtar dhe pushtimin e Ukrainës”, tha presidenti serb.
Agresioni rus në Ukrainë ka bërë që të shtohet diskutimet për nevojën e përshpejtimit të procesit të integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimi Evropian është vënë në përpjekje për të siguruar rajonin për ardhmërinë evropiane.
Në këtë kuadër javën e ardhshme në Kosovë pritet të qëndrojë edhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.