Mund t’ju ketë ndodhur të keni takuar një të rritur që sillet si një fëmijë. Një sindrom të tillë e quajnë sindroma e Piter Pan, dhe përshkruan qëndrimin e atyre që duan të jetojnë një fëmijëri të përjetshme duke refuzuar të rriten, të marrin përgjegjësi, apo të bëjnë zgjedhje. Shpesh prek meshkujt krahasuar me femrat dhe shoqërohet edhe me paaftësi për të dashuruar. Një person që vuan prej këtij sindromi, është i papjekur, i arratisur nga realiteti apo nga vetja, dhe ruan tiparet e fëmijërisë edhe në moshë madhore.

Piter Pani i përjetshëm është një i rritur që sillet si një fëmijë, që jeton në një të tashme të përjetshme, pa rregulla, sepse rregullat nuk i janë imponuar dhe nuk i janë mësuar ndonjëherë. Psikologia Viola Poggini, pjesë e “Urdhrit të Psikologëve të Lazios”, na jep më tepër detaje për të kuptuar më mirë se çfarë përmban, cilat janë shkaqet dhe si mund të kapërcehet sindroma e Piter Pan.

Sipas saj, prindërit modernë janë distancuar nga modeli autoritar për të marrë një model shumë mbrojtësndaj fëmijëve. Ata janë më tepër të interesuar t’i kënaqin fëmijët, duke iu larguar detyrës së tyre thelbësore, që është edukimi. Në këtë mënyrë ata rrezikojnë t’u dërgojnë fëmijëve të tyre një mesazh tëgabuar, duke i shtyrë ata të mendojnë se “nëse prindërit më mbrojnë mua, kjo ndodh sepse nuk i kam aftësitë dhe kompetencat për ta mbrojtur vetë veten“. Kjo gjë ka efekte në vetëvlerësimin e fëmijëve. Nuk ka pjekuri më të madhe, përveç përballjes me zhgënjimet, me gabimet dhe me dështimet që duhet të jetë në gjendje të përjetojë çdo i ri përmes veprimeve të tij. Përpjekja e disa prindërve për t’i mbrojtur fëmijët e tyre nga zhgënjimi, gjeneron të rinj që mbeten përherë fëmijë, sikurse ndodh me protagonistin e “Piter Pan”.

Frika nga rritja shpjegohet me zbehjen e funksionit detyrues të ushtruar nga prindërit. Është bindja ndaj rregullave ajo që na bën të rritemi dhe të piqemi. Nëse nuk kemi kufij të përcaktuar saktë, si mund të mendojmë se mund t’i kapërcejmë kufijtë e vetes sonë? Ajo që quhet kompleksi i Piter Panit, ose sindroma e Piter Panit është pikërisht vështirësia e disa individëve për të marrë përgjegjësi, për të rrezikuar, për të planifikuar apo edhe për të bërë zgjedhje , pasi janë rritur nën mburojën e prindërve, pa u përballur kurrë me probleme në jetën e tyre.

Zgjidhja që sugjeron psikologia në këto raste,  është t’u jepet fëmijëve një mundësi për të ndjekur pasionet e tyre, gjë që normalisht do i bëjë ata të përballen edhe me vështirësitë. Pasionet dhe dëshirat mund të jenë një motor i fuqishëm për të shprehur veten, si dhe për t’u përballur me dështimin, pasi jo gjithmonë do të korrësh sukses në atë që pëlqen. Kjo gjë padyshim të rrit dhe e thyen dëshirën për tëqëndruar përherë fëmijë. Vetëm ata që mësojnë t’i pranojnë dështimet, dhimbjet dhe vështirësitë si një pjesë normale të rritjes individuale, arrijnë të humbasin në mënyrë progresive tiparet e fëmijërisë dhe mund ta kapërcejnë sindromën e Piter Pan.