Me rastin e Ditës së Pavarësisë, e cila më 21 maj festohet në Mal të Zi, kryeministri Dritan Abazoviç tha se “ka vend për të gjithë në Mal të Zi dhe për këtë arsye nuk mund të lejojmë mosrespektimin e shtetit dhe simboleve të tij”.
Kryeministri malazez kujtoi se 16 vjet më parë, pas gati një shekulli, Mali i Zi u bë sërish shtet i pavarur dhe flamuri i tij u vendos në selinë e Kombeve të Bashkuara. “Kaluan gjashtëmbëdhjetë vjet që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2006. Ndërsa festojmë këtë ditë të madhe dhe historike të vendit tonë, ne duhet të pyesim veten nëse kemi bërë mjaft për të fuqizuar Malin e Zi dhe për ta bërë atë të pranueshëm për të gjithë”, tha Abazoviç.
“Qëllimi ynë është që këtë ditë ta festojnë të gjithë qytetarët e shtetit tonë, pavarësisht se si kanë votuar para gjashtëmbëdhjetë vitesh, si deklarohen dhe cilit Zot i luten ”, tha kryeministri Abazoviç.
Mali i Zi feston më 21 maj Ditën e Pavarësisë dhe 16 vjetorin e mbajtjes së referendumit në të cilin i vendos për shkëputjen nga federata me Sebinë. Sipas rezultateve zyrtare të referendumit të vitit 2006, në votim morën pjesë 419 mijë e 240 qytetarë ose 86.5% nga numri i përgjithshëm i votuesve. Pavarësinë e mbështetën 230 mijë e 661, ose 55.6 për qind e votuesve, ndërsa për qëndrimin në shtetin e përbashkët me Serbinë votuan 105 mijë e 2 qytetarë ose 44.5% e tyre.
Kuvendi i Malit të Zi në mbledhjen me 2 marsit, në bazë të propozimit të presidentit të atëhershëm të Republikës Filip Vujanoviç, ka sjell vendimin që referendumi për statusin shtetëror juridik të mbahet me 21 maj. Kryetar i Komisionit republikan të referendumit asokohe ishte diplomati sllovak, Frantishek Lipka.