Ballina Aktualitet OBSH kërkon të hetohen sulmet ndaj ndërtesave shëndetësore në Ukrainë

OBSH kërkon të hetohen sulmet ndaj ndërtesave shëndetësore në Ukrainë

 

Shefi për Evropën i Organizatës Botërore të Shëndetësisë ngriti alarmin lidhur me ofrimin e kujdesit shëndetësor në Ukrainë gjatë luftës me Rusinë, duke bërë thirrje që të hetohen mbi 200 sulme ndaj ndërtesave shëndetësore.

Drejtori për Evropë i OBSH-së, Hans Kluge, tha se çdo i treti pacientë ka probleme në qasjen në ilaçe dhe një në pesë persona në zonën e konfliktit ka nevojë për ndihmë psikologjike, duke shtuar se rastet e dhunës seksuale janë në rritje dhe se ka rrezik të shpërthimit të kolerës.

“Deri më sot, OBSH-ja ka verifikuar 226 sulme në kujdesin shëndetësor në Ukrainë. Kjo nënkupton se që prej 24 shkurtit kanë ndodhur tri sulme në ditë. Nga këto sulme janë vrarë të paktën 75 persona dhe 59 janë plagosur”, tha ai gjatë një konference për media në Kiev.

Duke përshkruar situatën, ai tha se sulmet e tilla janë fyerje e përkushtimit dhe integritetit të punonjësve shëndetësorë.

“Këto sulme nuk janë të justifikueshme, ato duhet të hetohen”, tha ai.

Rusia mohon se sulmon civilët dhe caqet civile në pushtimin e Ukrainës, që ka nisur më 24 shkurt, pavarësisht provave të shumta që dëshmojnë të kundërtën.