Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan tha të premten se Turqia, një vend anëtar i NATO-s, nuk do të mbështeste planet e Suedisë dhe Finlandës për t’u bashkuar me aleancën, duke thënë se në këto vende nordike ka “shumë organizata terroriste“.
Megjithëse Turqia ka mbështetur zyrtarisht zgjerimin që kur hyri në NATO, 70 vite më parë, kundërshtimi i saj mund të përbëjë një problem për Suedinë dhe Finlandën duke qenë se anëtarësimi bëhet me marrëveshje unanime të vendeve të aleancës.
Synimi i Finlandës për të kërkuar anëtarësim në NATO, i bërë publik të enjten, që pritet të pasohet nga Suedia, do të sillte zgjerimin e aleancës ushtarake perëndimore që presidenti rus Vladimir Putin deshi ta parandalonte duke nisur agresionin në Ukrainë.
“Ne po ndjekim zhvillimet në lidhje me Suedinë dhe Finlandën, por nuk kemi pikëpamje pozitive,” u tha presidenti Erdogan gazetarëve në Stamboll, duke shtuar se NATO kishte gabuar kur pranoi si anëtare Greqinë.
“Ne nuk duam të përsërisim gabime të ngjashme. Për më tepër, vendet skandinave janë streha për organizatat terroriste,” tha zoti Erdogan pa dhënë detaje të mëtejshme.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg kishte thënë se finlandezët do të “mirëpriteshin ngrohtësisht” dhe premtoi një proces “të qetë dhe të shpejtë” të pranimit, i cili mbështetet gjithashtu nga Uashingtoni.
Por Turqia ka kritikuar vazhdimisht Suedinë dhe vendet e tjera të Evropës Perëndimore për trajtimin e organizatave të konsideruara terroriste nga Ankaraja, përfshirë grupet militante kurde PKK dhe YPG, dhe përkrahësit e klerikut islamik me bazë në Shtetet e Bashkuara, Fethullah Gulen.
Ministri i Jashtëm i Finlandës, Pekka Haavisto bëri thirrje për një qasje të matur në përgjigje të qëndrimit turk ndaj anëtarësimit të Finlandës.
Ndërkohë Shtetet e Bashkuara thanë se po punojnë për të sqaruar pozicionin e Turqisë, tha Ndihmës Sekretarja për Çështjet e Evropës dhe Euroazisë, Karen Donfried pas komenteve të zotit Erdogan. Ajo tha se kjo temë do të diskutohet në takimin ministror të NATO-s gjatë fundjavës në Berlin.