Kafe e ngrohtë. Të korra të tjera, përfshirë çajin, do të preken gjithashtu

Jeremiah mësoi për kafenë nga i ati. Si fëmijë në fund të viteve 1980, ai punoi në një fermë kafeje që zotërohej nga familja, në kodrat e qarkut Nandi, në Kenian Perëndimore. Cikli ishte i njëjtë: kultivo, mbill, piq, korr dhe shit. “Çdo vit procesi ishte i njëjtë, – thotë ai. – Gjithmonë në kohën e duhur”.

Por, jo më, shkruan The Economist. Si kryetari i një kooperative, ai tani përfaqëson 303 fermerë të vegjël kafeje, të cilët po vuajnë nga thatësira, shirat e paparashikueshëm dhe temperaturat në rritje, që sjellin dëmtime dhe sëmundje.

Ngrohja e motit në Afrikën Lindore, vendlindjen e kafesë, tashmë ka filluar të dëmtojë një nga kultivimet më të rëndësishme të eksportit në rajon, që arrin vlerën rreth 2 miliardë dollarë në vit (shih grafikun). Mbinxehja e bimëve të kafesë mund të prekë edhe kultivimet e tjera jetike si çaji, eksporti më i madh i Kenias.

Dhe nëse kafeja bëhet më e shtrenjtë ose më pak e shijshme, nuk janë vetëm fermerët ata që do të vuajnë, por edhe pjesa më e madhe e njerëzimit, që së bashku pinë rreth 3 miliardë filxhanë kafeje në ditë, me një kosto prej rreth 200 miliardë dollarësh në vit.

Ndër kokrrat më të mira të kafesë në botë, të quajtura coffea arabica, rriten në shpatet pjellore të malit Kenia. Kjo lloj bime, e cila e ka origjinën në malësitë e Etiopisë dhe Sudanit, prodhon kokrra që janë më të shijshme (dhe më të vlefshme) se ato të quajtura coffea canephora (e njohur si robusta). Arabica ka gjithashtu një shije më të fortë.

Ngrohja globale mund të zvogëlojë sipërfaqen totale të përshtatshme për rritjen e kokrrave coffea arabica, ndoshta duke e përgjysmuar atë deri në vitin 2050.

Rritja e temperaturave mund t’i bëjë disa zona të reja të përshtatshme për kultivimin e kafesë, sepse do të rritej lartësia maksimale ku mund të lulëzojë bima, por vende të tilla janë relativisht të vogla dhe aty rriten tashmë bimë të tjera. Në përgjithësi, “prirjet janë kryesisht negative”, thotë Roman Grüter.

Bimët coffea arabica, të cilat përbëjnë afërsisht 60% të prodhimit të kafesë në mbarë botën dhe më shumë se 98% të prodhimit në Kenia, lulëzojnë në lartësitë 1000-2000 metra në rajonet ekuatoriale dhe në temperatura ndërmjet 18°C ​​dhe 21°C.

Gjatë 60 viteve të fundit, temperaturat mesatare në disa prej rajoneve të kafesë në Kenia, janë rritur tashmë me 1.1°C, duke arritur maksimumin prej 25°C, thotë Patricia Nying’uro, një shkencëtare klimatike në Departamentin Meteorologjik të Kenias.

Rosabella Langat, e cila zotëron një pronë prej gjashtë hektarësh me 15,000 bimë kafeje në Nandi, u zgjua një mëngjes vitin e kaluar dhe zbuloi se të gjithë të korrurat e bimës së saj më të kërkuar, ishin kthyer nga një ngjyrë e kuqe e pjekur, në një ngjyrë pis të zezë, për shkak të një kërpudhe që mbin në lagështi shumë të madhe dhe temperatura të ngrohta.

“Kjo na ul fitimet”, thotë Langat.

Një shije e ndryshme

Megjithëse kafeja është eksporti i katërt më i madh i Kenias, ajo ofron një rrugë shpëtimi për fshatrat. Industria siguron të ardhura për rreth 6 milionë njerëz, sipas të dhënave nga qeveria keniane.

Kjo përbën më shumë se një të dhjetën e popullsisë prej 54 milionë banorësh. Fermerët e vegjël kultivojnë 65% të kafesë në Kenia nëpër parcela të vogla, me sipërfaqe mesatare prej vetëm 0,16 hektarësh.

Zoti Letting ka rreth 500 bimë kafeje në parcelën e tij. Vitin e kaluar, ai arriti fitime prej 174,000 shilingash keniane (1,500 dollarë). “Ky ishte një çmim i mirë – thotë ai, duke qeshur. – Ishte një përmirësim në krahasim me vitet e kaluara”.

Zoti Letting i plotëson të ardhurat duke punuar si kontabilist. Shumica e fermerëve në kooperativën e tij, nuk mund ta bëjnë këtë, sepse nuk janë shkolluar. “Njerëzit nuk janë në gjendje të përballojnë tarifat e shkollimit, – thotë ai. – Njerëzit nuk kanë mundësi as të hanë tre vakte në ditë. Ndonjëherë hanë vetëm dy”.

Disa fermerë po përpiqen të përshtaten me ngrohjen e klimës duke u zhvendosur në lartësi të kodrave. Megjithatë, kjo po i shtyn ata në zona të përdorura prej kohësh për rritjen e çajit.

Jo vetëm që ka më pak hapësirë ​​më lart, por kjo zhvendosje kërcënon të dëmtojë edhe kultivimet e çajit, që sjellin të ardhura nga eksporti me vlerë rreth 1.2 miliardë dollarë në vit dhe mbështesin rreth 10% të popullsisë së Kenias. Moti më i ngrohtë do t’i shtyjë kultivimet e çajit më lart, në shpatet e ngushta.

Alternativat

Instituti i Kërkimeve të Kafesë, i financuar nga qeveria e Kenias, po përpiqet të gjejë mënyra të tjera për t’i ndihmuar fermerët të përshtaten, si për shembull, duke i inkurajuar të mbjellin pemë për të mbuluar bimët e kafesë, ose duke mbjellë bimë më të forta të varietetit robusta.

Qeveria po përpiqet të mbjellë edhe një bimë hibride, të quajtur Arabusta, i cila do të kombinonte qëndrueshmërinë e robusta-s, me aromën e arabica-s. Kafedashësit nuk kanë zgjidhje tjetër veçse të mësohen me këtë version të ri kafeje.

“Çfarë mundësie tjetër mbetet?” pyet Efrem Fesaha, pronari i firmës Boon Boona Coffee. “Nëse arabica zhduket, do të jetë njëherë e përgjithmonë”.

Përveç shijes së hidhur, ky version i ri mund të ketë kosto sociale. Shumë fermerë të vegjël mund të largohen fare nga industria, sepse nuk mund të përballojnë dot investimet e nevojshme për të mbrojtur të korrat e tyre. Kjo mund të çojë në përqendrimin e prodhimit në firmat më të mëdha, të cilat kanë mundësi të përshtaten.

Sasini, një nga bizneset bujqësore më të mëdha në Kenia, është gjithashtu një nga kultivuesit më të mëdhenj të kafesë. Firma ka instaluar ujitës dhe spërkatës në zonat e kafesë dhe po rishikon planet për t’u zhvendosur në rajone të reja të rritjes së kafesë, duke përfshirë vendet fqinje.

“Ka mundësi që ne të zgjerojmë biznesin tonë të kafesë në një zonë të re ku mund të fillojmë nga e para”, thotë Martin Ochieng, drejtori menaxhues i grupit Sasini.

Një tjetër mundësi mund të jenë varietete krejtësisht të reja. Studiuesit në Kopshtin Botanik Mbretëror në Kew, Londër, po hetojnë një lloj kafeje të egër, të quajtur coffea stenophylla, e identifikuar për herë të parë nga një botanist skocez, në vitin 1834.

Ajo është e shijshme dhe gjithashtu mund të përballojë nxehtësinë. Por prodhon në rendimente më të ulëta se varietetet ekzistuese dhe duhen vite derisa të rritet plotësisht.

Personat e varur nga kafeina, mund të përballen me një të ardhme më të vështirë, paralajmëron Vern Long nga World Coffee Research. “Nëse nuk kemi risinë për t’iu përgjigjur sfidave klimatike, – thotë ajo, – do të përfundojmë duke pirë kafe sintetike”./ Monitor