Lewis Hamilton dhe Serena Williams do të investojnë miliona paund për një nga ofertat në garë për t’u bërë pronarët e rinj të klubit të Chelsea.
Sky News shkruan se dy sportistët (7 herë kampioni i botës në Formula 1 dhe ish-numri një në botë i tenisit për femra), bëjnë pjesë në grupin e investitorëve që mbështesin ofertën e blerjes së Chelsea, i cili drejtohet nga Sir Martin Broughton, ish-presidenti i Liverpool dhe drejtuesi i British Airways.
Burime pranë grupit Broughton thanë se Hamilton dhe Williams – anëtarët e profilit më të lartë të një prej tre konsorciumeve të mbetura – kanë premtuar 10 milionë paund secili për ofertën.
Si Hamilton i cili do të garojë për Mercedes në Çmimin e Madh të Emilia Romagna në Imola këtë fundjavë – edhe Williams, e cila ka fituar 23 Grand Slam, mes tyre 7 tituj Wimbledon – në vitet e fundit janë bërë investitorë të rëndësishëm në sektor.
Serena Ventures, fondi i venture capital i yllit të tenisit, njoftoi këtë javë një investim në Opensponsorship, një start-up i teknologjisë sportive në Britaninë e Madhe, ndërsa Hamilton ka mbështetur një sërë kompanish early-stage, si Zapp, aplikacioni për shpërndarjen e shpejtë të ushqimeve me seli në Londër.
Përfshirja e tyre për blerjen e Chelsea është e papritur, pasi Hamilton është një tifoz i Arsenal.
Megjithatë Hamilton dhe Williams, janë në bisedime me grupin e udhëhequr nga Broughton për disa javë. Nuk është ende e qartë se çfarë mjeti do të përdorin Hamilton dhe Williams për të investuar te Blues. Një burim pranë grupit pohoi se vendimi i Hamilton dhe Williams është marrë në bazë të përvojës së tyre në krijimin e markave sportive globale.
Nuk është e para herë që atletë të famshëm mbështesin një klub të Premier League. LeBron James, legjenda e NBA, ka qenë një aksioner i vogël i Liverpool për më shumë se një dekadë. Investitorë të tjerë të grupit i cili udhëhiqet nga Broughton përfshijnë: familjen kanadeze Rogers, John Arnold dhe familjen Tsai në Tajvan.
/ CNBC