MSc. Adem Lushaj
Mejë dhe Bishtazhin, ishin vende të krimit për banorët e Junikut, fshatrave Dobrosh, Pacaj, Rracaj, Sheremetaj, e vende të tjera. Në këto vende, nga krimi serbo-sllav, humbën jetën dhjetëra qytetarë, si dhe qindra të maltertuar, plaçkitur, torturuar dhe plagosur.
Rrëqethës është rrëfimi i Zoje Krasniqi, e cila tregon për vrasjen e burrit dhe të tre fëmijëve të saj. Ajo ndër të tjera tregon edhe për vrasjen e vjehrrës dhe dhjetëra personave të tjerë, si dhe për plagosjen e saj dhe të tre fëmijëve.
Zoje (Adem) Krasniqi, e lindur më 10 dhjetor 1960, nga Juniku, në dëshminë e dhënë më 2 shtator 1999, ka rrëfyer për tmerrin e 14 prillit 1999, për plagët e rënda trupore e shpirtërore, për plagosjen rëndë të saj dhe humbjen e burrit dhe të tre fëmijëve të vet.
“Ditën e shtunë të 27 marsit të vitit 1999, diku rreth orës 10.00, erdhi vëllai e na tha se duhet sa më parë t’i lëshojmë shtëpitë. Kemi shkuar këmbë deri tek lagjja “Gaxherri”, aty kemi hipur në traktor të Sadri Shalës dhe kemi shkuar në fshatin Pacaj. Vëllai shkoi në fshatin Sheremetaj. Në fshatin Pacaj kemi qëndruar deri më 14 prill 1999. Serbët kishin filluar t’i djegin shtëpitë në fshatin Dobrosh. Ne iu bashkuam banorëve që iknin, të cilët kalonin nëpër fshatin Pacaj dhe morëm rrugën për në Sheremetaj. Gjatë rrugës, në fshatin Rracaj, pamë tre policë duke djegur shtëpitë, kështu që nuk bëmë ballë të ndaleshim askund dhe vazhduam rrugën për në Gjakovë. Kur mbërritëm në Mejë u ndalëm për të kërkuar ujë për fëmijët. Aty ndodhi tragjedia jonë. Ende pa zbritur nga traktori kemi dëgjuar zhurmën e aeroplanëve që kanë gjuajtur në afërsi të vendit ku ishim ndalur. Nga shpërthimet u vranë dhe u plagosën shumë persona. Unë u plagosa rëndë, dhe nga plagët që kam marrë në këmbë dhe kraharor kam humbur vetëdijen. Pos plagëve më janë djegur flokët dhe fytyra. Në mesin tonë kishte shumë të vrarë e të plagosur. Pasi erdha në vete e pashë burrin tim, Shkëlzenin dhe tre fëmijët, Vlorën, Sabrijen dhe Blendin të vdekur. Po ashtu pashë të vdekur edhe vjehrrën, Shkurtën, dhe shumë persona të tjerë përreth. Plagë nga këto bombardime morën edhe dy djemtë e mi, Mehmeti dhe Sundimi, si dhe vajza, Vjosa”,- ka treguar Zoja, që së bashku me dy djemtë dhe disa të plagosur të tjerë ishte dërguar për shërim në spitalin e Gjakovës. Aty kishte qëndruar deri në kohën kur kanë hyrë në Kosovë forcat paqeruajtëse të NATO-s.
Safet (Hysen) Shala, i lindur më 10 prill 1971, ishte plagosur rëndë, së bashku me gruan (Valbonën) dhe dy fëmijët (Hyseni 4-vjeçar dhe Elida 5- vjeçare).
“Ishte 14 prill 1999, kur morëm rrugën për Shqipëri. Në traktorin të cilin e vozisja, ishim mbi tridhjetë persona. Me të mbërritur në Mejë, jemi ndalur që të merrnim ujë dhe gjësende tjera. Papritmas ra një granatë në afërsi të traktorit. Aty mbeten shumë të vrarë dhe të plagosur. Unë u plagosa rëndë, deri në atë shkallë sa kam humbur vetëdijen. Po ashtu, u plagosen edhe gruaja me dy fëmijët. Kurse nëna ime (Ajmoni), kishte mbetur e vdekur. As tash nuk e di se kush më ka dërguar në spitalin e Gjakovës. Me pastaj, e kanë sjellë edhe gruan time. Me fëmijët jemi takuar pasi kanë hyrë forcat e NATO-s, të cilët janë kthyer nga Shqipëria me kushëririn, Sadri Shala”,- ka treguar Safet Shala.
Dita e 14 prillit e vitit 1999, ishte dita më e rëndë e jetës së Have (Imer) Maloku, e lindur më 13 maj 1939. Para syve të saj kriminelët serbë ia kishin rrahur djalin, Artonin dhe burrin, Ramën, të cilët edhe i kishin vrarë. Ata janë gjetur të vrarë dhe të varrosur në varrezat e Gjakovës. Në dëshminë e saj të dhënë me 30 gusht 1999, Hava ka thënë: “Më 14 prill 1999 policia serbe na ndaloi te “Ura e Tabakëve”. Ata e rrahën djalin tim, Artonin, pastaj e morën burrin tim, Ramën 80-vjeçar dhe Malë Bajramin (Malë Krasniqi), kurse ne të tjerët na urdhëruan që ta vazhdonim rrugën për në Shqipëri. Derisa po largoheshim dëgjova të shtëna që vinin nga drejtimi i urës, zemra ma ndjeu se djali e burri nuk do të gjinden më të gjallë. Kur u kthyem nga Shqipëria i gjetëm të vrarë dhe të varrosur në Gjakovë”