Presidenti Joe Biden e ka cilësuar tashmë luftën e Rusisë në Ukrainë si gjenocid, duke akuzuar Presidentin Vladimir Putin se po përpiqet të fshijë idenë e të qenit ukrainas.
Javën e kaluar Presidenti Biden nuk i quajti veprimet e Rusisë si gjenocid.
Por gjatë një aktiviteti në shtetin e Ajoas, ndërsa po trajtonte çështjen e çmimit të lartë të energjisë të shkaktuar nga lufta, Presidenti Biden la të kuptohet se ai mendonte se Vladimir Putini po kryente gjenocid në Ukrainë. As ai dhe as administrata e tij, nuk njoftuan masa të reja ndaj Rusisë apo ndihmë për Ukrainën, pas këtij vlerësimi publik të zotit Biden.
Komentet e presidentit amerikan u përshendetën nga Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy, i cili ka inkurajuar udhëheqësit perëndimorë ta përdorin termin si referencë ndaj asaj që po ndodh në vendin e tij për shkak të agresionit rus. Presidenti francez Emmanuel Macron nuk pranoi ta çonte retorikën e tij aq larg gjatë një komenti të bërë sot (e mërkurë).
“Unë jam i matur me termat. Gjenocidi ka një kuptim. Ukrainasit dhe rusët janë popuj vëllezër. Është çmenduri kjo që po ndodh sot. Është brutalitet i pabesueshëm dhe një rikthim i luftës në Evropë. Por në të njëjtën kohë shikoj faktet dhe dua të vazhdoj përpjekjet maksimale për të ndalur luftën dhe rivendosur paqen. Nuk jam i sigurt nëse përshkallëzimi i retorikës i shërben kauzës sonë”, tha zoti Macron.
Presidenti francez shtoi se është vërtetuar se ushtria ruse ka kryer krime lufte në Ukrainë.
Presidenti i Ukrainës Volodimir Zelenskyy nga ana e tij e vlerësoi qëndrimin e Presidentit Biden.
“Fjalë të vërteta, nga një udhëheqës i vërtetë“, shkruante ai në një postim në Twitter të martën.
“T’u vendosësh gjërave emrin që kanë është thelbësore për t’i bërë ballë të keqes. Ne jemi mirënjohës për ndihmën e dhënë deri më tani nga SHBA-të dhe kemi nevojë urgjente për më shumë armë të rënda për të parandaluar mizoritë e mëtejshme të Rusisë”, shkruante më tej zoti Zelenskyy.
Sipas një traktati të Kombeve të Bashkuara, pjesë e të cilit janë edhe Shtetet e Bashkuara, me gjenocid përkufizohen veprime të ndërmarra me qëllimin për të asgjesuar tërësisht ose pjesërisht, një grup kombëtar, etnik, racor ose fetar.
Në të kaluarën udhëheqësit amerikanë shpesh e kanë shmangur termin për të përkufizuar zyrtarisht si gjenocid, fushatat e përgjakshme, sikurse ajo që po kryen Rusia në Ukrainë, duke hezituar të nxisin një detyrim që rrjedh sipas konventës ndërkombëtare e cila kërkon që vendet nënshkruese të saj të ndërhyjnë në rast të identifikimit zyrtarisht të gjenocidit. Ky detyrim u pa si një arsye që pengoi Presidentin Bill Clinton të shpallte si gjenocid vrasjen e 800,000 tutsëve etnikë në Ruanda në vitin 1994.
Presidenti Biden tha se do të jenë ekspertët ligjorë ata që të vendosin nëse veprimet e Rusisë përmbushin standardin ndërkombëtar për t’u cilësuar si gjenocid, ashtu siç kanë pohuar zyrtarët ukrainas, por ai shtoi se atij vetë, ajo që po ndodh në Ukrainë, i duket si e tillë (gjenocid).
“Më shumë prova po dalin për gjërat e tmerrshme që kanë bërë rusët në Ukrainë dhe ne do të mësojmë gjithnjë e më shumë rreth shkatërrimit atje. Por do të lëmë juristët të vendosin nëse kjo kualifikohet apo jo si gjenocid”, tha Presidenti Biden.
Javën e kaluar Presidenti Biden tha se nuk besonte se veprimet e Rusisë përbënin gjenocid, por thjesht krime lufte.
Gjatë një udhëtimi në Evropë muajin e kaluar, zoti Biden u përball me polemika lidhur me një deklaratë të tijën, e cila në dukje mbështeste nevojën për ndryshim të regjimit në Moskë, çka do të kishte përfaqësuar një ndryshim dramatik drejt përplasjes së drejtpërdrejtë me një vend tjetër që ka armë bërthamore.
“Për atë Zot, ky njeri nuk mund të qëndrojë në pushtet”, tha Presidenti Biden duke iu referuar Presidentit rus Putin.
Por një ditë më vonë Presidenti Biden i sqaroi komentet e tij, duke thënë se kishte shprehur zemërimin e tij moral ndaj udhëheqësit rus dhe se nuk kishte artikuluar ndonjë ndryshim politikash të Uashingtonit në raport me Moskën.