Ballina Aktualitet “Partygate”, Boris Johnson gjobitet për festat gjatë pandemisë

“Partygate”, Boris Johnson gjobitet për festat gjatë pandemisë

Zyra e Kryeministrit britanik Boris Johnson njoftoi se ai dhe shefi i Thesarit Rishi Sunak do të gjobiten nga policia për shkeljen e rregulloreve të lidhura me COVID-19. Ky zhvillim pason akuzat për mbajtjen e festave në zyrat qeveritare gjatë kohës së vendosjes se kufizimeve të lidhura me pandeminë. Po kështu pritet të gjobitet edhe bashkëshortja e zotit Johnson, Carrie Johnson.

Skandali i njohur si “partygate” ka çuar në hetimin e dhjetëra politikanëve dhe zyrtarëve britanikë lidhur me akuzat se qeveria ka shpërfillur kufizimet e vendosura nga ajo vetë mbi pandeminë. Personeli i kryeministrit Johnson ka zhvilluar festa në zyrë në vitin 2020 dhe 2021 ndërsa miliona në Britani iu përmbaheshin rregullave të rrepta të bllokimit.

Zbulimi i këtyre fakteve ka shkaktuar zemërim publik. Zoti Johnson ka mohuar të ketë kryer ndonjë shkelje, por ai dyshohet se ka qenë në disa nga dhjetëra festat e organizuara në zyrën e tij e ndërtesa të tjera qeveritare, të cilat po hetohen nga policia./Associated Press