HAGË, Holandë (AP) – Një organizatë ndërkombëtare e krijuar për të identifikuar të vdekurit dhe të zhdukurit nga konfliktet e viteve 1990 në Ballkan po përgatitet të dërgojë një ekip ekspertësh mjeko-ligjorë në Ukrainë, ndërsa numri i të vdekurve rritet më shumë se gjashtë javë pas luftës së shkaktuar nga agresioni i Rusisë.
Autoritetet në Kiev kanë kontaktuar Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur për të ndihmuar në identifikimin e trupave që përndryshe mund të mbeten anonim mes mjegullës së luftës.
Një ekip i përbërë nga një patolog mjeko-ligjor, arkeolog mjeko-ligjor dhe një ekspert për mbledhjen e mostrave të ADN-së nga trupat e pajetë dhe për t’i ballafaquar ato me të dhënat e familjeve të tyre, pritet të shkojnë në Ukrainë në fillim të javës së ardhshme, tha drejtoresha e përgjithshme Kathryne Bomberger për agjencinë Associated Press.
Ata do të ndihmojnë në identifikimin e të vdekurve, por gjithashtu do të dokumentojnë se si u shkaktua vdekja e tyre – informacion që mund të jetë i dobishëm në hetimet e krimeve të luftës në të ardhmen. Laboratori i kësaj organizate në Hagë do të ndërtojë një bazë qendrore të dhënash duke formuar një katalog provash dhe identitetet e të vrarëve.
“Të kesh këtë aftësi të centralizuara është absolutisht kritike sepse duhet ta shikosh këtë si një hetim në një skenë gjigande krimi që po ndodh në të gjithë Ukrainën,” tha zonja Bomberger.
Ekipi do të ketë shumë punë për të bërë kur të vendoset në Buça, ku imazhet e trupave të shtrirë në rrugë pas tërheqjes së forcave ruse tronditën botën.
Komisioni, i njohur shkurtimisht si ICMP, ka tashmë një marrëdhënie pune me zyrën e prokurorisë së Gjykatës Penale Ndërkombëtare dhe agjenci të tjera të luftës kundër krimit si Interpol dhe Europol me të cilët mund të ndajë provat. Prokurori i Gjykatës Penale Ndërkombëtare Karim Khan tashmë ka hapur një hetim në Ukrainë.
“Ne duam të sigurohemi që të punojmë së bashku me autoritetet ukrainase për të analizuar siç duhet këto vende të krimit dhe për të identifikuar viktimat, në mënyrë që provat të mund të përdoren në të ardhmen për qëllime të gjykimit penal, jo vetëm potencialisht për Gjykatën Penale, por edhe potencialisht brenda gjykatave të brendshme në Ukrainë”, tha zonja Bomberger.
Organizata përdor teknologjinë e fundit në punën e saj të mundimshme për të identifikuar trupat edhe nga mostrat më të vogla.
“Ne kemi zbatuar një teknikë të re të nxjerrjes së trupave, e cila na lejon të marrim më shumë ADN nga fragmente më të vogla ose më të dëmtuara të mostrës së kockave,” tha menaxherja e laboratorit të ADN-së Kieren Hill. “Kjo është një metodë mjaft e veçantë për sa i përket zbatimit të saj në kontekstin e personave të paidentifikuar”.
Komisioni u krijua për të identifikuar të vdekurit nga luftërat ballkanike të viteve 1990. Laboratorët e saj sterilë dhe të teknologjisë së lartë janë larg varreve masive me baltë, ku ekspertët e organizatës shkuan për herë të parë në mesin e të vdekurve të masakrës së Srebrenicës në vitin 1995 të më shumë se 8,000 burrave dhe djemve myslimanë boshnjakë.
Ata ndihmuan në identifikimin e trupave që në disa raste ishin copëtuar dhe ishin hedhur nëpër varreza të shumta masive ndërsa forcat serbe të Bosnjës varrosnin dhe më pas rivarrosnin të vdekurit në një përpjekje për të mbuluar gjurmët e përpjekjes së tyre për të zhdukur boshnjakët e Srebrenicës.
Komisioni siguroi që ata të mos arrinin të mbulonin gjurmët e tyre. Shefi ushtarak serb i Bosnjës, Gjeneral Ratko Mlladiç dhe ndihmësi i tij politik, Radovan Karaxhiç, po vuajnë tani dënimin e përjetshëm për krime përfshirë gjenocidin. Të dy ta u dënuan pjesërisht falë provave të mbledhura nga ICMP-ja.
E financuar nga kontributet vullnetare të qeverive, organizata ka ndihmuar që atëherë qeveritë të identifikojnë mijëra njerëz të tjerë, mbetjet anonime të të cilëve u gjetën në mbi 3,000 varre masive dhe klandestine.
Ajo ka punuar në skenat e krimit dhe në vendet e fatkeqësive në mbarë botën, duke përfshirë Sirinë, Libinë dhe Irakun.
Ukraina mund të provojë të jetë një nga sfidat e saj më të mëdha, pasi organizata do të punojë së bashku me autoritetet ukrainase për të hetuar në mes të një lufte që vazhdon.