Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, kritikoi të enjten mëdyshjen e disa vendeve për të përmbushur kërkesat e Ukrainës për armë, për shkak të frikës se mos përfshihen në konfliktin me Rusinë. Ministri Kuleba tha se duke i dhënë Ukrainës atë që i nevojitet, ukrainasit do të bëjnë luftën, kështu që askush tjetër nuk do të duhet ta bëjë atë.
“Unë mendoj se marrëveshja që ofron Ukraina është e drejtë: ju na jepni armë, ne sakrifikojmë jetët tona dhe lufta mbetet e kufizuar në Ukrainë”, tha ministri Kuleba.
Ai foli në Bruksel së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, para takimit me ministrat e jashtëm të NATO-s, në të cilin sekretari Stoltenberg tha se aleatët do të trajtojnë nevojën e Ukrainës për sisteme të mbrojtjes ajrore, armë kundërtank dhe forma tjera të mbështetjes.
“Sa më shumë armë të marrim dhe sa më shpejt të mbërrijnë në Ukrainë, aq më shumë jetë njerëzore do të shpëtohen, aq më shumë qytete dhe fshatra nuk do të shkatërrohen dhe nuk do të ketë më Bucha”, tha ministri Kuleba, duke përmendur zonën jashtë kryeqytetit ku ushtarët rusë akuzohen për vrasjen e civilëve ndërsa po tërhiqeshin.
Ministri Kuleba mirëpriti sanksionet e reja perëndimore kundër Rusisë, por bëri thirrje për masa të mëtejshme, duke përfshirë një embargo të plotë ndaj naftës dhe gazit rus, përjashtimin e të gjitha bankave ruse nga sistemi bankar SËIFT dhe mbylljen e porteve për anijet dhe mallrat ruse.
“Shpresoj se nuk do të përballemi më kurrë me një situatë kur për të rritur trysninë e sanksioneve, na duhen mizoritë si ato në Bucha për t’u zbuluar, për të bërë përshtypje dhe për të tronditur partnerët e tjerë deri në atë masë sa ata të ulen dhe të thonë: ‘Dakord, mirë, ne do të vendosim sanksione të reja’”, tha ministri Kuleba. “Unë nuk besoj se ukrainasit duhet të paguajnë me jetën, ferrin dhe vuajtjet e tyre për vullnetin politik të partnerëve për të vendosur sanksione”.
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre perëndimorë thanë të mërkurën se po vendosin “sanksione të reja, të rënda dhe të menjëhershme ekonomike” kundër Rusisë, duke ndaluar investimet amerikane atje, duke bllokuar plotësisht institucionet më të mëdha financiare të vendit dhe duke synuar pasuritë e fëmijëve të rritur të presidentit rus, Vladimir Putin.
Masat e reja, sipas Shtëpisë së Bardhë, janë ndëshkim për mizoritë kundër civilëve ukrainas që dyshohet se janë kryer nga trupat ruse, përfshirë ato të zbuluara ditët e fundit në Bucha afër Kievit.