Shkruan: Florim Zeqa 04.04.2022
E themë kështu, sepse Vetëvendosja duhet t’na bind të gjithëve me pastërtinë e saj, ndryshe nuk ka të drejtë të flasë për këtë temë dhe as nuk do të ketë sukses në pastrimin e listave, respektivisht me heqjen nga listat të veteranëve të rrejshëm apo mashtrues!
Spastrimi i listave të veteranëve, tema më e diskutuar e pasluftës
Ska dyshim, se njëra nga temat më të nxehta, më të shpeshta dhe më të rënda për diskutim është ajo e veteranëve mashtrues, të cilët vijnë nga të gjitha partitë dhe të gjitha trevat e Kosovës. Pra, abuzuesit e fondit të veteranëve janë nga të gjitha partitë politike pa dallim pushtet dhe opozitë! Sikurse ri-aktualizimi i kohëpaskohshëm, ashtu edhe heshtja e kësaj teme bëhet për qëllime elektorale.
Spastrimi i listave të veteranëve do ta bënte një kthesë pozitive dhe do ta mbyllte njërën nga temat më të diskutuara nga mbarimi i luftës e këndej, me çka do të zbuloheshin abuzuesit e fondit të veteranëve të vërtetë të UÇK-së, gjë e cila do të hapte rrugën për ndëshkimin e falsifikatorëve që lëshuan dhe nënshkruan çertifikata falso duke e fryer numrin e veteranëve nga 13 mijë në 60 mijë, numër ky i cili nuk përkon as për së afërmi me numrin real të pjesëmarrësve në luftën çlirimtare!
Serioziteti i qeverisë në spastrimin e listave duhet të dëshmohet me largimin e veteranëve mashtrues të Lëvizjes Vetëvendosje nga listat e veteranëve, ngase as LVV-ja nuk mund të jetë e “virgjër” sa u përket veteranëve mashtrues me 50 % të elektoratit kosovar, ngase në mesin e tyre ka më bollëk pseudo-veteran dhe anti-vlera kombëtare!
Tjetësimi i vlerave të luftës çlirimtare
Caktimi i listave të veteranëve të luftës çlirimtare sipas përkatësisë partiake, ideologjike dhe lidhjeve familjare e ka shndërru këtë porces në një “Veteranomani” të vërtetë. Lënja jashtë listave të veteranëve, komandantët dhe ushtarët më të spikatur, pjesmarrës në betejat më të lavdishme të luftës çlirimtare dhe përfshirja në lista të atyre që Kosovën e lëshuan të veshur me rroba grash dhe më buzëkuq të nuseve në fytyrë apo edhe të atyre që s’kanë qenë fare pjesë e luftës në Kosovë, të cilët pas përfundimit të luftës u kthyen si “çlirimtar”!
Mosbërja transparente e kritereve për pranimin e statusit të veteranit të luftës nga ana e “komisioneve” për verifikim, ka lënë të hapur “shtekun” për manipulim dhe keqpërdorim “allashqiptarqe” të një procesi sa të ndjeshëm po aq të rëndësishëm për të ardhmen e ndritshme të Ushtrisë së Kosovës.
Vrapimi pas marrjes së bajrakut të çlirimtarit, grabitjes apo përfitimit nga vlerat e të tjerëve, injorimi apo eliminimi i figurave markante të luftës dhe paqes nuk ishte e paqëllimshme! E gjithë kjo u bë përmes lojës së shtrigave, duke inskenuar “tradhtarin” imagjinar dhe “heroin” inekzistent!
Injorimi i betejave të lavdishme, të drejtuara nga oficierët e karrierës dhe zavendësimi i tyre më figura të improvizuara të betejave të humbura, ka çuar në tjetërsimin e vlerave të luftës çlirimtare!
Të ndëshkohen shitësit dhe blerësit e çertifikatave të veteranëve
Përderisa, në të kaluarën, çertifikatat dhe statusi i veteranit janë dhënë në këmbim të votave për subjekte të caktuara politike, në ditët e sotme, spastrimi i listave të veteranëve mund të çojë në rritjen dhe kredibilitetin e subjekteve politike të cilat pastrohen nga veteranët mashtrues!
Në asnjë rrethanë, spastrimi i listave të veteranëve nuk guxon të bëhet për llogari elektorale dhe as për hakmarrje politike apo personale, por kjo duhet të bëhet për ta përmirësuar imazhin e veteranit të vërtetë të luftës çlirimtare.
Si pasojë e futjes në listat e veteranëve të dezertorëve, sipunëve dhe tradhtarëve, UDB-ashve dhe bashkëpunëtorëve të Serbisë, i kemi “X” raste kur luftëtarët e lirisë në shenjë paknaqësie i kanë grisur apo djegur publikisht librezat e UÇK-së. Andaj edhe tani, kundër abuzimit të fondit të veteranëve, të parët që duhet të reagojnë janë OVL e UÇK-së, gjegjësisht veteranët e vërtetë dhe komandantet e pa shantazhuar dhe pa implikuar në tregëtinë me statusin e veteranit dhe çertifikatave falso.
Prandaj, çdo emër i dyshimtë në listat e veteranëve duhet të denoncohet nga vetë ushtarët, veteranët e vërtetë të UÇK-së, në të kundërtën, me ose pa vetëdije edhe ata bëhen pjesë e shkeljes dhe abuzimit të listave të veteranëve, e cila përveqse ndikon negativisht në imazhin e tyre, i dëmton ata shumë edhe në aspektin material.