Instagram ka prezantuar dy mënyra të reja për të parë kryefaqen (Feed) tuaj, Following dhe Favorites, pra njerëzit që ndiqni dhe të preferuarit.
“Following” ju tregon postimet nga njerëzit që ndiqni në rend kronologjik, ndërsa “Favorites” shfaq postimet e fundit nga një listë llogarish që ju mund t’i zgjidhni si të preferuara, qofshin miqtë tuaj apo krijuesit që pëlqeni.
Për të përdorur Following dhe Favorites, klikoni në Instagram në këndin e sipërm majtas të faqes kryesore për të bërë përzgjedhjen.
Mund të shtoni deri në 50 llogari në Favorites dhe të bëni ndryshime në listën tuaj në çdo kohë – njerëzit nuk njoftohen kur ju i shtoni ose hiqni. Postimet nga lista e të preferuarave do të shfaqen gjithashtu në faqen kryesore, siç tregohet nga një ikonë ylli.
Si Following dhe Favorites do t’ju shfaqin postimet në rend kronologjik, në mënyrë që t’i shihni shpejt postimet që nuk dëshironi t’i humbisni.
Instagram thotë se do të vazhdojë të ndërtojë veçori të tilla për t’u dhënë përdoruesve më shumë zgjedhje dhe kontroll mbi atë që shohin dhe për të ndihmuar që koha që kalojnë në aplikacion të jetë më e frytshme.