Ballina Ravijëzime Dhe dielli i përflakur u mbyt në det!

Dhe dielli i përflakur u mbyt në det!

 

Dy poezi nga Lulëzime MALAJ – Vlorë

 

BIJA IME

 

Rri e mendoj!…

Më ike shpejt nga gjiri im, bija ime,

Aty, në tokë të huaj i kalon pranverat!

Më mungon buzëqeshja jote me ato shikime,

E përkëdheljet: – Mamo, mos u mërzit, do t’vij përhera!

 

Më mungon përqafimi yt i ëmbël, i ngrohtë,

Netëve, ku ti në supin tim mbështesje kokën,

A e di, se në krevatin tënd dremis edhe sot?!

Aty në aromëzën tënde, kam gjithë botën!

 

Mbi komodinë,

Le filxhanin e çajit kur ike këtë herë,

Aty e kam lënë edhe unë, si atë ditë!

Buzëkuqi në të, më ngjan se shpeshherë,

Më pëshpërit: – Do t’vij shpejt mamo, më prit!

 

Gjithandej, në valixhe, dollape, shoh fustane, triko palosur,

Dhe një çantë e bardhë, lënë në dhomë mbi komo,

Në lëkurën e saj, butësia e duarve të tua ka mbetur,

Në telefon t’përgjërohem: – Shpirti im eja, mos u vono!

 

NDËRSA UNË PRES..

 

Nxitojnë akrepat e orës, po bie muzg

Dhe dielli i përflakur u mbyt në det!

Përmbys po e kthej tokën të të gjej ty

Ndaj po bien gjithkund tërmete!

 

Ndoshta, je fshehur në një tjetër planet

Dhe kukamçefti me një yll atje luan!?

Ndoshta, ylli me ty është dashuruar,

Ndaj me gjëmim shirat tokën mbuluan?!

 

Po nesër në agim, do dal sërish dielli

Dhe do përqafojë ngrohtë, siç di veç ai

Pastaj do i puthi botës, cep më cep sytë…

Ndërsa unë pres, të më puthësh, veç ti!