Bota po kërkon nga Arabia Saudite që të rrisë prodhimin e naftës ndërsa çmimet globale të energjisë rriten për shkak të sulmi rus në Ukrainë. Por kjo mund të nënkuptojë ndryshimin e qëndrimit ndaj princit të diskutueshëm të kurorës.
Lidhjet e Princit të Kurorës, Mohammed bin Salman, me aleatët e vjetër janë problematike për një sërë çështjesh. Në krye të listës është vrasja dhe copëtimi i trupit të gazetarit të” Washington Post”, Jamal Khashoggi në Konsullatën Saudite në Stamboll në vitin 2018, si dhe ndërhyrja e Arabisë Saudite në luftën e Jemenit fqinj.
Presidenti Joe Biden e ka mbajtur larg princin 36-vjeçar. Ndërsa shqetësimet ekonomike janë tejet të larta, polemikat mund të kalojnë në plan të dytë.
Turqia, të enjten, bëri përçapje për t’i dhënë fund çështjes gjyqësore lidhur me vdekjen e zotit Khashoggi, një hap që mund të zbusë tensionet me Arabinë Saudite.
Me çmimet më të larta të naftës, që mbushin arkat e mbretërisë, princi i kurorës dhe babai i tij, Mbreti Salman, përballen me një çështje vendimtare.
A është e mundur që familja mbretërore të përmirësojë marrëdhëniet e saj me Shtetet e Bashkuara, garantuesi i sigurisë së saj për një kohë të gjatë në Gjirin Persik? Apo mbretëria do të anojë drejt Kinës, aktualisht blerësi më i madh i naftës së papërpunuar, apo drejt Moskës?
Afrimi me Amerikën duket i pamundur. I pyetur në një intervistë të kohëve të fundit se çfarë do të dëshironte që Presidenti Biden të dinte Princi Mohammed tha troç: “Nuk më intereson”. “I takon atij të mendojë për interesat e Amerikës”, shtoi princi.
Ndoshta, asnjë vend tjetër në botë nuk mund të përfitojë financiarisht me shpejtësi nga lufta në Ukrainë sikurse Arabia Saudite.
Burimet e mëdha të naftës saudite, që gjenden afër sipërfaqes së shkretëtirës, e bëjnë atë një nga vendet që prodhon me koston më të ulët naftën e papërpunuar. Për çdo rritje prej 10 dollarësh të një fuçie naftë saudite, Arabia Saudite përfiton 40 miliardë dollarë shtesë në vit, sipas Institutit të Financave Ndërkombëtare.
Është një kthesë e fortë zhvillimesh, duke marrë parasysh se çmimet e naftës në prill të vitit 2020 ranë në nivele negative, gjatë kulmit të kufizimeve nga pandemia e koronavirusit. Sipas vlerësuesit të çmimit të naftës, Brent, një fuçi nafte e papërpunuar kushton 105 dollarë, çmimi më i lartë që nga viti 2014.
Paratë shtesë janë të dobishme për Princin Mohammed, i cili gjithashtu duhet të trajtojë problemet në vendin e tij, veçanërisht si të gjejë punë për një numër në rritje të të rinjve të papunë.
Princi i kurorës njihet për lëvizjet e tij të forta. Vizioni i tij për Arabinë Saudite përfshin ndërtimin e një qyteti futuristik të quajtur Neom në shkretëtirën përgjatë Detit të Kuq. Ai vazhdon të përsërisë idenë e një projekti për një pistë skish të quajtur Trojena, që reklamohet vazhdimisht në kanalet satelitore të Lindjes së Mesme.
Ndërsa në qytetin futuristik ekzistojnë pallate të mëdha, pamjet satelitore nga “Planet Labs PBC” tregojnë se projekti Neom vazhdon të jetë në fazat e hershme. Ka të ngjarë se do të duhen vite para se të hapen vende pune, për të cilat princi shpreson se do ta largojnë varësinë e ekonomisë së mbretërisë nga nafta.
Ndërkohë, papunësia tek të rinjtë ishte 32.7% për meshkujt dhe 25.2% për femrat në fund të vitit të kaluar, sipas Autoritetit të Përgjithshëm Saudit për Statistikat. Rihapja e kinemave dhe lejimi i koncerteve, në një mbretëri ku ultrakonservatorët e shohin muzikën si mëkat, vjen si pjesë e përpjekjeve për vende pune.
“Nëse do të ulë normën e punësisë dhe turizmi mund të krijojë 1 milion vende pune në Arabinë Saudite, … kjo do të thotë që unë duhet ta bëj këtë”, u shpreh princi për revistën The Atlantic gjatë një interviste të kohëve të fundit.. “Zgjidh një mëkat më të vogël sesa një mëkat më të madh”.
Por shkëlqimi është venitur përballë aktivistëve të të drejtave të njeriut dhe disa vendeve perëndimore. Arabia Saudite ekzekutoi brenda një dite 81 të burgosur, ekzekutimi masiv më i madh i njohur në historinë e mbretërisë, pas një qetësie pandemike.
Pavarësisht një armëpushimi të njëanshëm gjatë Ramazanit, ende vazhdon lufta në Jemen e udhëhequr nga Arabia Saudite kundër rebelëve Houthi, për të cilën princi pati premtuar një fitore të shpejtë. Vendi më i varfër i botës arabe është kthyer në rrënoja.
Në rrafshin ndërkombëtar, ndoshta vëmendja më e madhe u përqendrua tek vrasja e gazetarit Khashoggi. Shërbimet e zbulimit amerikan besojnë se Princi Mohammed dha pëlqimin për operacionin që vrau gazetarim Khashoggi, një banor i përhershëm i Shteteve të Bashkuara. Gjetja e një zgjidhjeje me një aleat të ngushtë mbetet një nyje e vështirë për t’u zgjidhur.
Zoti Biden, i cili e quajti princin e kurorës “të pabesë” gjatë fushatës, ka folur vetëm me Mbretin Salman që kur mori Shtëpinë e Bardhë.
Udhëtimi i parë i Presidentit Biden jashtë vendit ishte për takimin e G-7 në Angli, ndryshe nga pritja e valles me shpata gjatë vizitës së zotit Trump në Arabinë Saudite.
Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe duket se po përdorin çmimet rekord të naftës për të siguruar lëshime nga Uashingtoni lidhur me Jemenin. Në mënyrë të përsëritur Arabia Saudite ka thënë se nuk mund të mbahet përgjegjëse për rritjet e çmimeve të energjisë të shkaktuara si rezultat sulmeve të grupit Houthi ndaj objekteve saudite të naftës. Kjo rrit trysninë mbi Presidentin Biden, administrata e të cilit tërhoqi vitin e kaluar mbrojtjen ajrore amerikane nga Arabia Saudite.
Ndërkohë, Arabia Saudite po ruan lidhjet me Rusinë. Mbretëria gjithashtu raportohet se po mendon përsëri që t’i shesë Pekinit një sasi nafte bruto në monedhën kineze, juan, në vend të dollarit amerikan.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, foli mbi situatën ditët e fundit, duke i kërkuar Katarit dhe fuqive të tjera rajonale të energjisë që të rrisin prodhimin për të kompensuar humbjet nga furnizimi rus. “E ardhmja e Evropës varet nga përpjekjet tuaja”, u tha ai atyre.
Faisal J. Abbas, kryeredaktor i gazetës së përditshme në gjuhën angleze Arab News të Arabisë Saudite, shkroi se mbretëria ka nevojë për “të gjithë mbështetjen që mund të marrë” kundër lëvizjes Houthi.
“Mbretëria nuk mund, dhe nuk duhet të lihet e vetme për të mbrojtur furnizimet globale të energjisë në një kohë kur e gjithë bota po dëmtohet bashkërisht nga rritja e çmimeve”, shkroi ai.
Mbetet për të parë se nga do të vijë mbështetja në të ardhmen./Associated Press