1.

Pothuaj njëkohshëm, në fillim nëntori 1912, teksa Ismail Qemal Bej Vlora nisej nga Bukureshti edhe “Dërgata e Kosovës”, me katërshen e delegatëve firmëtarë të Aktit të Pavarësisë: Rexhep Beg Mitrovica, Bedri Beg Pejani, Salih Gjuka, Mithat Abdyl Frashëri, fillnohet nga Gjakova drejt Vlorës, të cilët pikapjekën në Fier e mbrrijnë në Vlorë më 25 nëntor 1912.
Dërgata e Vilajetit të Kosovës ishte me numër të madh përfaqësuesish, pasi dhania e mandatit (“Akt- Përfaqësimi”) kishte nistue qyshse në fillim të gushtit e deri në fillim të nëntorit 1912, po rrjedhat e pasojat e Luftës së Parë Ballkanike e zvogëluan ndjeshëm numrin e delegatëve e gjeo-politikën e tyre.
Ideatori e strategi i Kryengritjes kundërosmane të vitit 1912, Hasan Prishtina me një grup patriotësh si Nexhip Draga, Idriz Seferi, Sait Hoxha etj., u arrestuan nga serbët më 26 tetor 1912 dhe u dërguan në burg në Beograd. Mospjesmarrja e tyre ishte një mungesë e madhe në Kuvendin e Vlorës. 82
Një pjesë e delegatëve si patrioti Bajram Curri, ishte plagosur në frontin e luftës për mbrojtjen e Plavës-Gucisë e Pejës ndaj nuk mbrrini në Vlorë prej pengesave të pushtuesve gjatë udhëtimit.
Kjo e shtyni Ismail Qemal Bej Vlorën që gjatë udhëtimit të tij historik, para largimit nga Austro-Hungaria, të interesohej për të marrë pjesë edhe Isa Beg Boletini nga Mitrovica, Hajdin Ali Pashë Draga nga Sanxhaku (Pazari i Ri), etj.
Nga ana tjetër edhe gjenerali i madh në beteja e në moshë, 65 vjeçari Mehmet Pashë Dërralla (Tetova) u çoi fjalë me emna tue i dijenue se ndodhej në Sllovë të Peshkopisë dhe i priste rrugës me shkue bashkarisht me ta në Kuvendin e Vlorës.
Për pjesmarrje ma të madhe të delegatëve nga vilajeti i Kosovës ishin në interesim të drejtpërdrejt edhe Aqif Pashë Biçakçiu (Elbasani), Haxhi Vehbi Agolli (Dibra), etj.
Në fillim të nëntorit 1912 u nisën nga Gjakova drejt Vlorës, delegatët e Kosovës: Isa Beg Boletini, 48 vjeçar, (delegat i Mitrovicës), që ndodhej prej afro dy javësh në qytet me rrethina e në Malësinë e Gjakovës, Riza Beg Gjakova, 65 vjeçar (delegat i Gjakovës), Hajdin Ali Pashë Draga 42 vjeçar, i lindun në Sanxhak të Pazarit të Ri (diku thuhet se ishte paranis dhe i priste rrugës me strategun ushtarak Mehmet Pashë Dërralla); Begollët e Pejës si Zeneli 47 vjeçar e Qerimi 38 vjeçar, si dhe Dervish Beg Ipeku, (nuk gjejmë të dhana për jetën e tij) etj.
Në këtë dërgatë ishin edhe luftëtarët e shquem si Hasan Hysen Budakova, Dervish Mitrovica, Halim Musë Bajgora e dhjetra të tjerë, po nuk e dij statustin e tyne.
Nisja e një pjese të Dërgatës së Pavarësisë u ftillue nga kulla e Riza Beg Gjakovës, i derës së Kryezinjëve, një burrë trupmadh, ballmadh, symadh, mjaft emblematik e problematik, i dyzuem në qëndrime e veprime (anti) kombëtare: Në gusht 1912 ia ngriti revolen Hasan Prishtinës si pro-sulltan e anti-pavarësi e tashti po vinte në Vlorë si delegat i Gjakovës me plagë në kamben e majtë nga luftimet e fundit me sllavët pushtues. Thonë se qajti ma tepër se një burrë para Flamurit Kombëtar. Ndoshta ishin lotë (pa) fajësie, të këtij begu tradicional të fortlidhun më fiset e Shipshanit, të Gashit e të Bytyçit në Malësinë e Gjakovës.
Kjo “Dërgata e Kosovës” (e dyta) – ma saktë: “Dërgata e vilajeteve të Kosovës e të Manastirit”, e cilësueme në dekada si “Dërgata e Isa Boletinit”- ma saktë: “Dërgata Boletini-Dërralla”, disa firmëtarë të Pavarësisë si Dhimitër Zografi e vlerësojnë se ishin “me 400 trima pas”.
Në mes tyne ishte edhe Tahir Bek Dini, bajraktari i fisit të Shipshanit të Malësisë së Gjakovës (Tropojë), një prijës politik-luftarak-administrativ me zotësi e trimni në kuvende e në luftna për Pavarësinë Kombëtare Shqiptare. Nga lufta me serbo-malazezët në Pejë po nisej drejt Vlorës, pa u rikthye tek krahina e vet, fqinja ma e afërt me qytetin e Gjakovës.
Dërgata e madhe mbrrini në Vlorë, të premten, më 29 nëntor 1912. Binte shi, që nuk ishte ndalë qyshse prej evenimentit të Shpalljes së Pavarësisë, pas ngritjes së Flamurit të Pavarësisë me duar të bashkuara të delegatëve të pranishëm, pas Hymnit Kombëtar të Flamurit. Aty i priti kryeshtetari Ismail Qemal Bej Vlora, që iu duk sikur u hap qielli e shi ishin vetëm lotët e tij të gëzimit. Burrat e vaktit mbajnë rendin e kohës e të vendit.
Ma i pari ulet prej kalit të shalës Mehmet Pashë Dërralla (Tetova) “plaku i urtë dhe atdhetari i nxehtë”, strateg ushtarak qyshse në Lidhjen e Prizrenit, ecën me hap ushtarak e përkulet para Flamurit Kombëtar. E puth i përlotun. Nuk foli gjatë, veç dy fjalë: Të rrojë Flamuri! Ta gëzojmë Shqipërinë!”. E nxjerr revolen nga brezi e gjuan tri herë lart, sikur kjo të ishte firma e tij për Pavarësinë. U ballatokën me Ismail Qemal Bej Vlorën 66 vjeçar. Këta të dy ishin burrat ma të mëdhenj në moshë në Kuvendin e Vlorës. Njani kryetar i Qeverisë e tjetri ministër i Luftës (më 4 dhjetor 1912).
Flamuri i Pavarësisë i prêt rradhas delegatët e luftëtarët e tij. Parakalon me nderimet e rastit Riza Beg Gjakova, i ndjekun nga Isë Beg Boletini “më i gjatë se Riza begu…, i embël në fjalët dhe me energji të çuditshme”, që nuk e lê pa e shkreh armën e tij historike.
Vijnë delegatët: Hajdin Ali Pashë Draga, Zenel Begolli, Qerim Begolli, Dervish Beg Ipeku… dhe prijës e luftëtarë të vilajeteve të Kosovës e të Manastirit.
Qyteti i Vlorës zbardhte nga plisat e bardhë, biles fimëtari i Aktit të Pavarësisë, Lef Nosi, telegrafon më 29 nëntor 1912 se u shtrenjtuan qeleshet në Vlorë, nga blerjet e të ardhurnve në Shpalljen e Pavarësisë, pasi të paktën qyshse nga Kuvendi i Junikut (21-25 maj 1912) nuk iu lejohej në tubime e luftna mbajtja e qelesheve turke.
Nga “Dërgata e Pavarësisë” edhe Tahir Bek Dini, bajraktari i fisit luftarak të Shipshanit, përkulet para Flamurit Kombëtar Shqiptar tue e puth me zjarrin e shpirtit e në jetën e tij ia shtoi vetes edhe një betim bestar: “Pasha Flamurin”! Natyrshëm, kjo pjesmarrje e tij në Vlorë, ishte ngjarja ma e shënueme e jetës së tij dhe e derës së tij me emën të mirë e me kontribute kombëtare nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit dhe deri tek Shpallja e Pavarësisë.

 

2.

Bajraku i Shipshanit u themeltue në vitin 1830, në të premten e fundit të gushtit, në kohën e djergies së bjeshktarëve, te xhamia në qendër të krahinës, me ma të parin bajraktar, Din Bajram Tahiri.
Në këtë evenimet madhor merrte pjesë edhe vet Veziri i Shkodrës, Mustafa Reshit Pasha Bushatlliu, përfaqësues nga fiset veriore shqiptare, bajraktarë të Pashallekut të Shkodrës e të Kosovës, etj.
Ky bajrak, një nga 112 bajrakët e Shqipërisë së Epërme, përputhej nga ana etno-historike e gjeo-administrive me vet fisin e Shipshanit, çka i jepte peshë e forcë bajraktarit në lami të parfaqësimit politik e luftarak në luftna e në kuvende.
Ky bajrak i fisit të Shipshanit, me prijës flamurtar, Din Bajraktarin, mund të nxirrte në beteja (ndër)rajonale mbi 200-300 luftëtarë.
Ai mori pjesë në maj 1845 në kryengritjen e armatosun kundërotomane në Qafë të Morinës dhe deri në qytetin e Gjakovës, krahas forcave të Gashit, të Krasniqes, të Bytyçit etj; në tri luftëra, në vitet 1852-1854, në Plavë e Guci dhe deri në Moraçë, kundër malazezëve për mbrojtjen e tokave etnike shqiptare; në Qafën e Morinës në vitin 1862 kundër ushtrisë të Maxharr Pashës, përfaqësuesit otoman në Kongresin e Berlinit (1878) me të cilin i bie rasti të ndeshet edhe në “Aksionin e Gjakovës” më 2-6 shtator 1878; në kryengritjet kundërosomane (1867-1870) në Gjakovë, Junik, Deçan e në Pejë; në ballë të luftës në Plavë- Guci dhe dekteri në Moraçë në vitet 1872 dhe më 1875.
Din Bajraktari bashkë me djalin e tij, Bekën, si “djalë mbas veti”, mori pjesë në kuvende të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878-1881). Nga Malësia e Gjakovës u zgjodhën antar të KQ të Lidhjes dy përfaqësues: nga bajraku i Shipshanit, Ali Ibra (Neza) dhe nga ai i Krasniqes, Binak Alia (Mulosmanaj).
Kuvendi i Prizrenit i 1878-tës ishte pararendës flakadan e garant i Kuvendit të Vlorës të vitit 1912.

 

3.

Bajraktari i dytë i Shipshanit, Bek Din Bajraktari, ndryshe nga i ati që shquhej si një trupmadh i fuqishëm, ishte një djalë elegant e intelegjent, thue se i lindun për drejtësi e mirësi, po ky do të binte shumë herët si hero në luftë kundër sllavëve.
Mori pjesë në luftërat për mbrojtjen e Plavës e të Gucisë nga malazezët, që kërkonin aneksimin e tyne, ku tregoi trimëri të veçantë, si në Luftën legjendare të Nokshiqit, që shenjohet si parathanie e Pavarësisë, apo siç e përshkruan kanga popullore:“Si dy male i rrijnë Historisë/ Nokshiqi e Vlora e Pavarësisë/”.
Bek Bajraktari kishte lidhje të mira miqësore të prejkohshme me Haxhi Zekë Biberaj, Ali Pashë Gucinë dhe sidomos me Pashko Vasë Shkodranin, ku ky rilindas ishte zv/guvernator i Vilajetit të Kosovës, në vite para Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Prej tij mësoi në artin e politikës dhe në përvetësimin e gjuhëve të huaja.
Në shkolla e kujdestari në Gjakovë, Prizren e Pejë dhe me personalitete si Pashko Vaso mësoi të fliste përveç shqipes, edhe osmanisht, anglisht, serbisht, pak frengjisht e italisht, çka ishte e veçantë për kohën.
Bajraktari i Shipshanit, Bek Dini, është nga të rrallët, që duke ecë në shembullin e Haxhi Zekë Byberit, të Vaso Pashë Shkodranit etj. e shihte të ardhmen e Shqipërisë tek Mbretëria e Bashkuar e Britanisë së Madhe.
E veçanta është se edhe djali i tij, Tahir Bekë Din Bajraktari e ndoqi shembullin e të atit, ishte një anglo-sakson, kjo tepër e avancuar për kohën e moshën e tij.

 

4.

Tahir Bekë Bajraktari, si përfaqësues i fisit të Shipshanit, mori pjesë në janar 1899 në Lidhjen Shqiptare “Besa-Besë” të Pejës, nën drejtimin e Haxhi Zekës, të cilin e nderonte shumë. Më 21 shkurt 1902, iu prini Shipshanit drejt Pejës, që bashkë me Gash e Krasniqe, shkuan të armatosun për t’u hakmarrë për vrasjen e Haxhi Zekë Biberit. Ishte fat i madh që burrat e kombit e të fesë arriten me e ndalë një gjakderdhje shqiptare nga ma të mëdhatë e shekullit XX.
Tahir Bek Dini Bajraktari mori pjesë në katër kuvende historike me peshë kombëtare:
Në Kuvendin e Verrave të Llukës, në prill 1905, në krye të rreth 150 trimave nga Shipshani, ku u lidh një “Beslidhje” për luftë kundër serbo-malazezëve etj. Merrnin pjesë rreth 2 000 përfaqësues nga Malësia e Gjakovës, Kosova, Plava e Gucia etj…
Në Kuvendin e Ferizajt më 20 korrik 1908 si përfaqësues i fisit të Shipshanit, krahas fiseve të tjera të Malësisë së Gjakovës e të Kosovës, prej ku iu dërgue një Ultimatum Sulltanit, u shfaq përkrahje politike e ushtarake për xhonturqit etj.
Në Kuvendin tek Vorret e Shalës në prill të vitit 1912 me përfaqësues të Malësisë së Gjakovës (ndër ta edhe Shipshani), të Rekës dhe të Hasit, që mori masat me ia fillue kryengritjes së armatosun që çoi tek Shpallja e Pavarësisë.
Në Kuvendin e Junikut, më 21-25 maj 1912, që njihet si “start” i ngritjes së Flamurit të Pavarësisë më 28 nëntor 1912 në Vlonë.
Bajraktari i fisit të Shipshanit, Tahir Beka, mori pjesë në luftën në Qafë të Morinës më 1909 kundër Xhavit Pashës; në betejën e Kaçanikut kundër Shefqet Turgut Pashës (1910), lufta në Qafë të Morinës kundër Shefqet Turgut Pashës në qershor 1910; në luftën e Qafë Diellit deri në Qafë të Borit në vitin 1912; në Qafë të Morinës në vitin 1913 kundër forçave serbo-malazeze, etj
Tahir Bek Bajraktari ka pjesmarrje të trefishtë ne Shpalljen e Pavarësisë më 1912.
E para: në krye të mbi 300 luftëtarëve të fisit të Shipshanit mori pjesë në Kryengritjen e Përgjithshme të Vilajetit të Kosovës të vitit 1912, që u kurorëzue me fitore në Shkup;
E dyta: në dhanien në fshatin Çarrabeg të Pejës të drejtës së Akt-Përfaqësimit në Vlorë në emën edhe të bajrakut e fisit të Shipshanit për katër delegatët e vilajetit të Kosovës: Rexhep Beg Mitrovica, Bedri Beg Pejani, Salih Gjuka, Mithat Abdyl Bej Frashëri, firmëtarë të Aktit të Pavarësisë si përfaqësues të Pejës, Plavë-Gucisë, Gjakovës e të Malësisë së Gjakovës.
E treta: në shkuarjen më 29 nëntor 1912 me “Dërgatën e Pavarësisë” nga Gjakova në Vlorë.

Ramiz LUSHAJ,

28 nentor 2012