Kosova refuzoi propozimin e vendeve të QUINT për zgjedhjet e Serbisë. Kryeministri Kurti tha se për zgjedhjet serbe në Kosovë duhet të ketë marrëveshje ndërmjet dy vendeve.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se ai nuk dëshiron që t’ua pamundësojë serbëve të Kosovës të drejtën e votës, por se në të njejtën kohë nuk mund të veprojë kundër ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë së Kosovës.
Këtë deklaratë Kurti e bëri gjatë një takimi virtual me ambasadorët dhe shefat e misioneve diplomatike të Kosovës pak ditë para se në Serbi të mbahen zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale më 3 prill.
Këto zgjedhje synohet të zhvillohen edhe në Kosovë, por Kurti tha se “për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të Serbisë në Kosovë, duhet të ketë një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë”.
Kurti tha se është në komunikim të vazhdueshëm me ambasadorët e vendeve të QUINT-tit në Kosovë, por nuk saktësoi nëse do ta lejojë apo jo mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, siҫ ka ndodhur kjo në të kaluarën.
BE: Keqardhje për “vendimin e Kosovës
Zëdhënësi i BE-së për çështje të Politikës së Jashtme dhe të Sigurisë, Peter Stano, tha në Bruksel se BE-ja shpreh keqardhje për “vendimin e Kosovës për të refuzuar propozimin e QUINT-it, për votimin e serbëve në territorin e Kosovës për zgjedhjet në Serbi”.
“BE-ja ka vepruar si ndërmjetësuese, Përfaqësuesi i Lartë ishte i angazhuar në kontakte për të gjetur marrëveshje për zgjidhje praktike që do t’u mundësonte qytetarëve me dyshtetësi të marrin pjesë në zgjedhje. Kemi bërë përpjekje të gjejmë zgjidhje praktike duke përdorur analogjitë që ishin vendosur në votime në të kaluarën”, tha Peter Stano, duke sqaruar se “Serbia ka qenë e hapur për gjetjen e një zgjidhjeje.”
Stano tha se vendimi i Prishtinës është në “në kundërshtim me përkushtimet e Kosovës për rrugëtim evropian” dhe se tani Bashkimi Evropian pret “nga Kosova dhe Serbia që të përmbahen nga veprimet dhe retorika, e cila mund të rrisë tensionet”. Po ashtu u bëhet thirrje të dyja palëve “që të veprojnë me përgjegjësi dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në negociata në kuadër të dialogut”.
Prishtina reagon ndaj deklaratës
Zëvëndëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, tha pas deklaratës se “Mendoj që ka pak pasaktësi në konstatim. Ne nuk kemi thënë që mbajtja e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë është jokushtetuese, por kemi thënë që mbajtja e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë pa aprovim të institucioneve të Kosovës, është jokushtetuese. Ne mendojmë që në të kaluarën dhe për këtë ka pajtim dhe konsensus të përgjithshëm edhe brenda vet QUINT-it, se zgjedhjet e Serbisë në Kosovë nuk kanë qenë deri tani kushtetuese.”
Reagimi i Serbisë
Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq, nga ana e tij, duke komentuar qëndrimin e qeverisë së Kosovës që Serbia dhe Kosova duhet të arrijnë marrëveshje për zgjedhjet serbe, tha se “Qeveria e Kurtit kërkon nga Serbia të pranojë pavarësinë e Kosovës, në mënyrë që të lejohen zgjedhjet të cilat mbahen më 3 prill”.
Pas një mbledhjeje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Serbisë, dhe pas refuzimit të Kosovës për zgjedhjet, presidenti serb anuloi ditën e martë të gjitha tubimet elektorale me arsyetimin që “situata në Serbi është e vështirë”, duke paralajmëruar takim me përfaqësuesit e serbëve në kuvendin e Kosovës.
“Kjo është një situatë shumë e rëndë për vendin. Do të shohim se çfarë do të ndodhë në takimin me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova”, tha Vuçiq.
Votim përmes postës ose zyrës ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë
Në janar të këtij viti Parlamenti i Kosovës mbështeti me anë të një rezolute një vendim të qeverisë së Kosovës, për të mos lejuar hapjen e qendrave të votimit në Kosovë, për referendumin e Serbisë që u mbajt më 16 janar, me gjithë thirrjet e vendeve të QUINT-it që votimi të lejohet.
Sipas rezolutës së kuvendit thuhej se “mbajtja e referendumit të Serbisë në Kosovë, cenon sovranitetin dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, është në kundërshtim me Kushtetutën, ligjet e Republikës së Kosovës, si dhe me normat e praktikat ndërkombëtare”.
Si duket kjo rezolutë dhe pikat e saj do të aplikohen edhe në rastin e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të Serbisë, që mos të lejohet organizimi i zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, por serbëve nuk do t’u ndalohet votimi përmes postës apo zyrës ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë.
Zgjedhjet e fundit parlamentare, që Serbia ka organizuar edhe për komunitetin serb në Kosovë, kanë qenë ato të 21 qershorit 2020. Ato zgjedhje janë mbajtur sipas praktikave të mëhershme, ku misioni i OSBE-së, i ka grumbulluar votat në Kosovë ndërsa më pas ato janë numëruar në dy qytete në jug të Serbisë. Zyrtarë të misionit të OSBE-së janë shprehur se ata janë të gatshëm t’i grumbullojnë votat edhe kësaj radhe për zgjedhjet e 3 prillit të Serbisë, por vetëm me pëlqimin e të gjitha institucioneve përkatëse.