Ballina Kryesore UEFA gati t’i heqë Tiranës finalen e Conference League: gati edhe dënimi...

UEFA gati t’i heqë Tiranës finalen e Conference League: gati edhe dënimi 10-vjeçar i Shqipërisë

 

Kur politika ndërhyn në punët e futbollit, pasojat janë të qarta: përjashtim nga kompeticionet ndërkombëtare.

E UEFA e ka treguar edhe më parë se nuk negocion mbi këtë kusht. Kështu, vendimi i një ditë me parë nga Gjykata e Apelit, që konfirmoi pezullimin e Armand Dukës, presidentit të Zgjedhur e Sekretarit të Përgjithshëm të FSHF-së, Ilir Shulku dhe duke mos regjistruar Asamblenë Zgjedhore të 2 dhe 15 marsit, ka aktivizuar mekanizmat e institucionit që drejton futbollin kontinental drejt protokollit që Shqipëria duhej ti trembej.

Sipas asaj që filtron nga burime brenda FSHF-së, e të konfirmuara nga RTSH Sport, nga UEFA po përgatitet përjashtimi i kombëtareve kuqezi nga të gjitha kompeticioneve ndërkombëtare të futbollit, në të gjitha nivelet. E bashkë me to do të penalizohen edhe klubet shqiptare nga përfaqësimi në Kupat europiane.

E nuk është diçka e thjeshtë e kalimtare, por një sanksion 10 vjeçar që do të trondisë futbollin nga themelet, duke rrezikuar deri edhe ekzistencën e tij.

E trishtë të mendosh që nga një kombëtare që tenton prezantimet në Euro apo Botëror apo nga klube që kalojnë të paktën një apo dy raunde në turnetë UEFA, futbolli të gremiset në humnera nga ku nuk dihet kur dhe si mund të rikthehet.

E megjithatë, goditja e parë është heqja e të drejtës së mirëpritjes së finales së parë të Conference League. Rruga drejt Tiranës, është duke u hipotezuar të bëhet Rruga drejt Athinës, me grekët të gatshëm të mirëpresin organizimin e finales për të cilën shorti u hodh një ditë më parë në Nyon të Zvicrës.

Lorik Cana, mund të ketë pasur krenarinë e tërheqjes së shortit të skuadrave që kërkojnë të jenë në 25 maj, Arena Kombëtare u inspektua e policia u trajnua për sigurinë, por finalja duket se do të jetë një mirazh.

Ashtu si Shqipëria po përgatit miqësoret me Rejën që publikoi zgjedhjet, por pikërisht ato, Spanja e Gjeorgjia, mund të jenë të fundit ndërkombëtare që kuqezinjtë do të luajnë. Vendimi i djeshëm ka bllokuar praktikisht lojën, duke mos njohur qëllimisht zgjedhjet që bëri futbolli. Apeli foli, me gojën e shtetit, tani radhën e ka UEFA.