Në këtë situatë, kanë lindur shumë pyetje nëse konflikti mund të ndryshojë jo vetëm gjeografinë e botës, por të transformojë rrënjësisht edhe natyrën e internetit në rang global.

Bota, si fizike, edhe ajo dixhitale, po kalon një situatë të paprecedentë, teksa konflikti në Ukrainë përkeqësohet. Korporatat gjigante si Meta, Google dhe Apple, të cilat gjithmonë e kanë cilësuar veten si firma neutrale që merren vetëm me teknologjinë, tani kanë filluar të shfaqin ngjyrat e tyre politike, duke ndaluar dërgesat e produkteve dhe ofrimin e shërbimeve në Rusi, si përgjigje ndaj pushtimit të Ukrainës.

Ndërkohë, edhe vetë interneti po ndryshon për përdoruesit rusë – Twitter dhe Facebook janë bllokuar, TikTok nuk i lejon përdoruesit rusë që të bëjnë postime, ndërsa policia raportohet se po ndalon njerëzit në rrugë për të verifikuar se çfarë po shohin ata në telefonat e tyre.

Në këtë situatë, kanë lindur shumë pyetje nëse konflikti mund të ndryshojë jo vetëm gjeografinë e botës, por të transformojë rrënjësisht edhe natyrën e internetit në rang global.

A duhet të shkëputet Rusia nga interneti?

Qeveria ukrainase u ka kërkuar kompanive të teknologjisë që të ndërpresin shërbimet e tyre në Rusi dhe lista e firmave të teknologjisë që refuzojnë të bëjnë biznes, ose të shesin produkte në këtë vend, po rritet dita-ditës. Tani, udhëheqësit e Ukrainës, shumë të dhënë pas teknologjisë, po bëjnë thirrje për diçka më të madhe – shkëputjen e plotë të Rusisë nga rrjeti global i internetit.

Këto thirrje morën një “Jo” të prerë nga ICANN (The Internet Corporation for Assigned Names and Numbers – Korporata e Internetit për Emrat dhe Numrat e Caktuar), e cila është përgjegjëse për menaxhimin e internetit.

Asaj iu kërkua që të revokonte domain-et e nivelit të lartë të Rusisë, si .ru, së bashku me certifikatat e lidhura me Secure Sockets Layer (SSL) të këtij vendi.

Por motoja e kësaj agjencie është “One World, One Internet” (Një Botë, Një Internet) dhe në përgjigjen e tij ndaj zëvendëskryeministrit të Ukrainës, Mykhailo Fedorov, shefi ekzekutiv i ICANN, Goran Marby, tha: “Në vijim të misionit tonë, ne ruajmë neutralitetin dhe veprojmë në mbështetje të ofrimit të internetit në rang botëror.

Misioni ynë po nuk shtrihet në ndërmarrjen e veprimeve ndëshkuese, vendosjen e sanksioneve apo kufizimin e aksesit ndaj segmenteve të caktuara në internet – pavarësisht nga provokimet”. Grupi i privatësisë dixhitale Electronic Frontier Foundation (EFF) ishte një nga shumë organizatat që e mbështetën vendimin.

Në një deklaratë, Corynne McSherry nga EFF dhe Konstantinos Komaitis thanë se lufta nuk ishte koha e duhur për t’u “ngatërruar me internetin”. Ndërhyrja në protokollet themelore të infrastrukturës së internetit do të kishte “pasoja të rrezikshme dhe afatgjata”.

Këto do të përfshinin:

  • privimin e njerëzve nga mjeti më i fuqishëm për shpërndarjen e informacionit;
  • krijimin e një precedenti të rrezikshëm;
  • komprometimin e sigurisë dhe privatësisë.

Ukraina i kërkoi edhe Cloudflare, një kompani e infrastrukturës së internetit e cila ofron mbrojtje kundër sulmeve kibernetike, të ndërpresë shërbimet e saj në Rusi.

Çfarë është një Splinternet dhe si funksionon ai?

Për shumë ekspertë, thirrjet për ndërprerjen e internetit në Rusi përbëjnë një rrezik për të shkuar drejt asaj që njihet si Splinternet – një sistem ku vende të ndryshme kanë versione të ndryshme të internetit.

Firewall i Madh i Kinës është ndoshta shembulli më i dukshëm se si një vend mund të krijojë rrjetin e tij të internetit. Por edhe në Iran, përmbajtja e internetit kontrollohet nga shteti dhe informacioni i jashtëm është i kufizuar nga Kompania Shtetërore e Telekomunikacionit të Iranit.

Vetë Rusia ka eksperimentuar me një internet sovran – të quajtur Runet – për disa vite, ndonëse ai është përshtatur në internetin ekzistues dhe nuk është një version i ri i krijuar nga fillimi, siҫ është rasti i Kinës. Në vitin 2019, qeveria ruse tha se testimet e këtij sistemi kishin rezultuar të suksesshme.

Në atë kohë, pak njerëz e kuptonin nevojën për këtë sistem, por tani, në kontekstin e pushtimit të Ukrainës, gjithçka “bën shumë më tepër sens”, tha prof. Alan Woodward, informaticien nga Universiteti i Surrey. Në atë test, ISP-ve ruse iu kërkua të konfiguronin në mënyrë efektive internetin brenda kufijve të tyre, sikur ai të ishte një intranet gjigant – një rrjet privat website-sh që nuk komunikojnë me botën e jashtme.

Nisma përfshinte kufizimin e pikave në të cilat versioni i rrjetit rus ndërlidhej me homologun global. Tani duket se Rusia po i riteston këto sisteme. Në një memo të përgatitur nga qeveria ruse, ISP-ve iu është kërkuar që të rrisin sigurinë e tyre dhe të lidhen me serverët e sistemit të emrave të domain-eve (DNS) në Rusi.

Disa menduan se memo-ja dhe data e përfundimit të testimeve më 11 mars, nënkuptonin se Rusia synonte të shkëputej vetë menjëherë nga rrjeti global i internetit.

Prof. Woodward e sheh këtë më shumë si një provë tjetër të gatishmërisë: “Kjo ishte më shumë një thirrje e Rusisë ndaj ISP-ve që të përgatiten, të bëjnë kopje lokale të DNS – librit telefonik të internetit – dhe të kenë versione lokale të softuerëve të palëve të treta që vijnë nga serverët jashtë Rusisë, si për shembull Javascript”.

Rusia e ka mohuar që do të shkëputet nga rrjeti global i internetit, duke shtuar se testi kishte të bënte me mbrojtjen e website-ve ruse nga sulmet kibernetike të huaja. Por James Griffiths, autor i “The Great Firewall of China”, mendon se priza mund të tërhiqet në çdo ҫast.

“Ndërprerja e internetit, duke u siguruar që rusët të përdorin vetëm përmbajtjen që miratohet fillimisht nga Kremlini, do të kishte kuptim nga pikëpamja strategjike.

Kështu, mund ta shihni rrugën drejt së cilës po shkojmë”, tha ai për BBC. “Nuk do të habitesha nëse kjo shkëputje do të ndodhte në javët apo muajt e ardhshëm”. / BBC