Ballina Rajoni Maqedonia e Veriut vazhdon ndalesën për eksportin e miellit dhe vajit

Maqedonia e Veriut vazhdon ndalesën për eksportin e miellit dhe vajit

 

 

Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka zgjatur deri më 15 prill ndalimin e eksportit të drithërave, si miellit, grurit, misrit, elbit, farave të lulediellit, si dhe vajrave të lulediellit.

“Vendimi për zgjatjen e afatit të ndalimit të eksportit është marrë me propozim të Ministrisë së Ekonomisë dhe në konsultim me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujit. Ndalesa për eksportin e këtyre produkteve deri më 15 prill bëhet për të parandaluar dëmet e mundshme në tregun vendor”, thuhet në vendimin qeverisë së Maqedonisë së Veriut.

Vendimi është miratuar dy ditë para skadimit të ndalesës prej dhjetë ditëve që ishte miratuar më 11 mars, që po ashtu u mor me “qëllim mbrojtjen e tregut vendor dhe mbrojtjen e qytetarëve në kohë krize”.

Një masë të këtillë autoritetet maqedonase e morën pas të dhënave se sasi të mëdha të grurit ishin eksportuar në Greqi, ndërsa në Kosovë sasi të mëdha të vajit vendor.

Drejtoria e Doganave të Maqedonisë së Veriut, ka bërë të ditur se nga ky vend ishte eksportuar vaj në sasi prej 416 tonësh, rreth 700 tonë misër, 166 tonë miell si dhe drithëra tjerë.

Vendimi ishte nxitur edhe nga Serbia e cila ka ndaluar eksportin e grurit dhe miellit për vendet e rajonit, përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut, e cila ishte në pritje të importit të rreth 50.000 tonëve grurë dhe miell.

Qeveria maqedonase ka bërë të ditur se ka sasi të mjaftueshme të vajit dhe miellit ndërsa të enjten çmimet për produktet ushqimore bazë, si buka, mielli, sheqeri, orizi e tjerë janë ulur pas heqjes së TVSH-së për këto produkte.