Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, shprehu zhgënjimin e tij me aleancën ushtarake të NATO-s, pas refuzimit të kësaj të fundit për të vendosur zonën e ndalim-fluturimit mbi Ukrainë.

Përmes një video-lidhjeje, Zelensky foli të martën me kryeministrin britanik, Boris Johnson, dhe përfaqësues të vendeve të tjera në Forcën e Përbashkët të Ekspeditës.

NATO-ja është “aleanca më e fortë në botë”, por “disa nga anëtarët e kësaj aleance janë të hipnotizuar nga agresioni rus”, tha Zelensky.

Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës qysh më 24 shkurt dhe Zelensky ka kërkuar disa herë nga NATO-ja që të vendosë zonën e ndalim-fluturimit mbi Ukrainë.

NATO-ja ka refuzuar, duke thënë se një veprim i tillë do të mund ta përshkallëzonte konfliktin në përmasat e një lufte të tretë botërore.

“Dëgjojmë shumë biseda për luftën e tretë botërore, se gjoja mund të fillojë nëse NATO-ja mbyll qiellin e Ukrainës për raketat dhe avionët rusë”, tha Zelensky.

Por kjo, shtoi ai, “i lejon ushtrisë ruse të bombardojë qytetet paqësore” dhe “të hedhë në erë blloqe banimi, spitale dhe shkolla”.

“Katër ndërtesa shumëkatëshe në Kiev, herët në mëngjes, janë bombarduar. Dhjetëra të vdekur”, tha ai.

Ushtria ruse ka intensifikuar sulmet në Kiev, në përpjekje për të marrë nën kontroll kryeqytetin e Ukrainës.

Kryetari i Kievit, Vitali Klitschko, tha se katër persona janë konfirmuar të vrarë pas sulmeve ajrore që goditën qytetin gjatë natës.