Presidenti rus Putin dëshiron të marrë luftëtarë vullnetarë nga vende të tjera për luftën në Ukrainë. Ndërkohë Ukraina ka bërë thirrje për ndihmë nga luftëtarë të huaj.
Po të ketë njerëz që duan të mbështesin popullsinë e Donbasit, ata duhet të ndihmohen për të arritur në zonën e luftimit, tha Presidenti rus Vladimir Putin në një takim të Këshillit të Sigurisë Kombëtare.
“Po të shihni se ka njerëz që vijnë në baza vullnetare, veçanërisht jo për para, dhe që duan të ndihmojnë njerëzit që jetojnë në Donbass, duhet t’i takoni në gjysmë të rrugës dhe t’i ndihmoni të shkojnë në zonën e luftimit,” tha Putini.
Sipas ministrit rus të Mbrojtjes Shoigu, më shumë se 16.000 vetë janë paraqitur vetëm nga Lindja e Mesme për të luftuar përkrah separatistëve në republikat e vetëshpallura popullore të Luhanskut dhe Donjeckut në Ukrainë. “Ne njohim shumë prej tyre, ata kanë ndihmuar për luftimin e ISIS-it gjatë kohës më të vështirë në dhjetë vitet e fundit,” tha Shoigu.
Konkretisht kanë pyetur luftëtarë sirianë që mund të angazhohen, tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov. Në vitet e fundit, Rusia i ka ofruar mbështetje ushtarake diktatorit sirian Bashar al-Assad.
Shoigu foli edhe në favor të një transferimi të ri të njësive ushtarake dhe “natyrisht këtyre komplekseve të reja moderne” në kufijtë perëndimorë të Rusisë. Çfarë saktësisht nënkuptonte ai me “komplekse” ishte e paqartë.
Qortim ndaj Perëndimit
Kësaj deklarate i parapriu një qortim ndaj Perëndimit për vazhdimin e armatosjes pranë kufijve rusë. “Na duket se po përfitojnë nga kjo situatë dhe se duan ta ngopin hapësirën tonë kufitare në anën tjetër, me sa më shumë me forca e mjete dhe pa dyshim, siç duket, ta konsolidojnë për një kohë të gjatë,” tha Shoigu.
Putini urdhëroi të hartohet një raport të Ministrisë së Mbrojtjes për këtë qëllim. “Bazuar në rezultatet e diskutimit të tij, ne do të marrim një vendim të duhur në të ardhmen e afërt”. Kreu i Kremlinit shprehu keqardhjen edhe për dërgimin e “mercenarëve nga e gjithë bota” në Ukrainë: “Sponsorët perëndimorë të Ukrainës, regjimi ukrainas, nuk e fshehin, e bëjnë hapur, në kundërshtim me të gjitha standardet ndërkombëtare”.
Zelenski me thirrje të huajve
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenski u ka bërë thirrje të huajve që të mbështesin Ukrainën në mbrojtjen e saj kundër Rusisë. Kësaj thirrjeje me sa duket iu përgjigjën shumë luftëtarë, përfshirë edhe gjermanë.
Mediat ukrainase përhapin shifra për numrin e përgjithshëm të të huajve të regjistruar në një “legjion ndërkombëtar” të planifikuar. Qarkullojnë shifra për më shumë se 20.000 vullnetarë nga 52 vende. Sipas burimeve të qeverisë ukrainase, mes tyre janë një mijë vullnetarë gjermanë. Këto shifra nuk mund të konfirmohen ose verifikohen në mënyrë të pavarur.
Nuk ka kontrolle kufitare
Duke qenë se nuk ka kontrolle kufitare në zonën Shengen, është e mundur të largohesh nga vendi nëpërmjet Polonisë pa u regjistruar nga Gjermania. Këtë e thotë edhe Ministria Federale e Brendshme. Prandaj nuk dihet se sa njerëz janë nisur për në Ukrainë për të marrë pjesë në luftime. Ministria supozon se këta persona janë ukrainas ose kanë të paktën një pasaportë gjermano-ukrainase.
Nga ana tjetër, largimi i ekstremistëve gjermanë ndiqet më nga afër. Autoritetet e sigurisë janë të vetëdijshme për këtë dhe “shumë vigjilente”. Ato përpiqen të parandalojnë largimin e ekstremistëve të njohur përmes kërkimeve, intervistave të synuara ose tërheqjes së pasaportave.
Në vitin 2019, Policia Federale kishte ndaluar tashmë anëtarët e partisë së ekstremit të djathtë “Der III. Weg” (Rruga e Tretë) që të largoheshin nga Gjermania për në Ukrainë, thuhet në një përgjigje ndaj një pyetjeje nga grupit parlamentar E Majta, të vitit 2021.
Deri tani, vajtjet e ekstremistëve në Ukrainë nuk kanë luajtur një rol të rëndësishëm në politikën e sigurisë. Sipas Zyrës Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës, ka vetëm “informacion të izoluar njëshifror” për largimet e ekstremistëve nga Gjermania në Ukrainë. Aktualisht nuk ka asnjë “informacion të verifikuar” për pjesëmarrjen e ekstremistëve të djathtë gjermanë në luftime. Megjithatë, autoritetet e sigurisë po vëzhgojnë me vëmendje përpjekjet për rekrutim dhe synimet e mundshme të largimit.
aud (dlf, tgsch)