Lufta në Ukrainë ka përkeqësuar inflacionin në rritje dhe Banka Qendrore Evropiane (BQE) ka thënë se po përgatitet të jetë më agresive për t’i dhënë fund paketave stimuluese fiskale.

Banka Qendrore Evropiane (BQE) tha të enjten (10.03) se do të fillonte lehtësimin e stimulit fiskal në eurozonë më shpejt seç pritej, pasi parashikimet më të larta mbi inflacionin kanë ardhur si pasojë e luftës në Ukrainë.

BQE tha se në prill do të fillojë të zvogëlojë blerjen e borxhit të qeverisë, duke nisur me 40 miliardë euro, dhe deri në qershor do të zbresë në 20 miliardë euro. Në një deklaratë gjatë së enjtes (10.03), BQE tha se “pret të përfundojë programin e blerjes së obligacioneve deri në tremujorin e tretë të 2022-shit”.

Banka shtoi se çdo blerje e obligacioneve pas tremujorit të tretë do të jetë subjekt i rishikimit, për të kuptuar nëse ndryshon parashikimi rreth inflacionit. 

“Lufta Rusi-Ukrainë do të ketë një ndikim material në aktivitetin ekonomik dhe inflacionin, përmes çmimeve më të larta të energjisë dhe mallrave, ndërprerjes së tregtisë ndërkombëtare dhe besimit më të dobët” – tha në një konferencë shtypi presidentja e BQE-së, Christine Lagarde. Më parë, BQE kishte thënë se do të fillonte një zvogëlim gradual të blerjeve të obligacioneve dhe letrave me vlerë me 20 miliardë euro çdo muaj, deri në tre muajt e fundit të 2022-ës, dhe do të vazhdonte të zvogëlohej për aq kohë sa të ishte e nevojshme.

Bankat qendrore blejnë asete, si obligacionet e qeverisë dhe letra të tjera me vlerë, si një mjet për të rritur fluksin e parave në ekonomi, me qëllim stimulimin e rritjes ekonomike. Megjithatë, më shumë para në ekonomi rrezikojnë të çojnë në çmime më të larta të mallrave dhe shërbimeve.

Symbolbild Steigende Energiepreise

Rritja e inflacionit 

Lagarde tha, se “indeksi i çmimeve të konsumit të eurozonës parashikohej të rritet mbi 5% në 2022-shin. Në dhjetor, BQE kishte parashikuar një rritje prej 3.2% të inflacionit”.

Banka gjithashtu uli pritshmërite e saj të rritjes për eurozonën, duke përmendur rritjen e çmimeve të mallrave që është përshpejtuar, duke pasur parasysh pasigurinë dhe kufizimet mbi eksportet ruse të naftës dhe gazit në valën e konfliktit. “Parashikimet për ekonominë do të varen nga rrjedha e luftës Rusi-Ukrainë, nga ndikimi i sanksioneve ekonomike dhe financiare dhe masave të tjera” – tha Largarde.

Jo rritje e normës së interesit, të paktën jo tani

Megjithatë, BQE nuk e ndryshoi planin e saj për një rritje të parë të normës së interesit. Përkundrazi, ajo tha, se normat do të rriten “gradualisht” dhe “disa kohë pas” përfundimit të blerjeve së bonove.

“Përcaktimi kohor nuk është detaji më i rëndësishëm” – tha Lagarde, duke shtuar se një rritje e normës mund të vijë “javën e ardhshme” ose “muaj më vonë”. Ajo theksoi se të dhënat e reja ekonomike do të ishin faktori vendimtar. BQE i ka mbajtur normat e saj të interesit historikisht të ulëta, me normën bazë për operacionet e rifinancimit kryesor në 0%.