Një anëtarësim i shpejtë i Ukrainës në BE refuzohet nga disa prej kryetarëve të shteteve dhe të qeverive të vendeve anëtare, sikurse mësohet në fillim të samitit dy ditor në Versajë.
Në Versajë pranë Parisit janë mbledhur në një samit dy ditor (10.03 – 11.03) kryetarët e shteteve dhe të qeverive të vendeve të BE-së. Në qendër të diskutimeve është situata në Ukrainë pas sulmit nga Rusia si dhe problemi i furnizimeve me gaz në vendet e BE-së.
Kancelari i Gjermanisë Olaf Scholz përpara se të nisej për në Versajë tha, se „është shumë e rëndësishme, që ne të vazhdojmë të ndjekim më tej ato për çfarë kemi vendosur në të shkuarën”. Në këtë kontekst ai iu referua Marrëveshjes së Asocijimit, që ka vendosur BE-ja me Ukrainën në vitin 2017 dhe që synohet thellimi i raporteve politike dhe ekonomike. “Ky është kursi, që ne duhet të ndjekim.”
Ngjashëm është shprehur edhe kryeministri i Holandës, Mark Rutte: „Disa vende të Ballkanit Perëndimor po përpiqen prej dhjetë vjetësh të bëhen anëtarë të BE-së, kini parasysh Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.” Disa shtete të BE-së insistojnë ashtu si edhe vet Ukraina për një anëtarësim të shpejtë të vendit pas sulmit të Rusisë.
Scholz dhe Macron insistojnë tek Putin për një zgjidhje me bisedime
Përpara samiti kancelari Scholz dhe presidenti francez Emmanuel Macron ishin konsultuar me presidentin rus Vladimir Putin për gjendjen në Ukrainë. Këtë e konfirmuan të tria palët. Scholz dhe Macron kanë insistuar për një armëpushim të menjëhershëm, deklaruan presidenca franceze dhe një zëdhënës i qeverisë gjermane. Çdo zgjidhje e luftës në Ukrainë duhet të arrihet përmes bisedimeve mes Rusisë dhe Ukrainës, kanë bërë të qartë gjatë bisedës telefonike Macron dhe Scholz. Të tre politikanët kanë vendosur, që të mbeten në kontakt gjatë ditëve të ardhëshme, bëhet e ditur në Berlin.