Ballina Aktualitet Ligjvënësja amerikane me prejardhje nga Ukraina, thirrje emocionale për ndërprerjen e sulmit...

Ligjvënësja amerikane me prejardhje nga Ukraina, thirrje emocionale për ndërprerjen e sulmit rus

 

Victoria Spartz, ligjvënëse amerikane me prejardhje nga Ukraina

Një ligjvënëse amerikane e lindur në Ukrainë i bëri një lutje emocionale Presidentit Joe Biden që të ndërhynte për të shpëtuar vendin e saj nga agresioni rus.

Republikania Victoria Spartz, e cila përfaqëson një zonë të shtetit të Indianës, foli të martën së bashku me ligjvënësit e tjerë të partisë republikane përpara fjalimit të parë të presidentit Biden mbi gjendjen në vend.

“Kjo nuk është një luftë, ky është një gjenocid ndaj popullit ukrainas nga një njeri i çmendur”, tha ligjvënësja Spartz, pa përmendur emrin e presidentit rus Vladimir Putin.

Ligjvënësja e veshur me ngjyrat e flamurit të Ukrainës tha se ajo ka anëtarë të familjes në rajon, duke përfshirë edhe gjyshen e saj 95-vjeçare. Ajo tha se ukrainasit “duan të jenë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ata duan të jenë njerëz të lirë.”

Presidenti Biden “duhet të veprojë me vendosmëri, shpejt, ose gjaku i shumë miliona ukrainasve do të jetë edhe në duart e tij”, tha ajo.

Konflikti në Ukrainë, pandemia dhe ekonomia pritet të dominojnë fjalimin e parë të Presidentit Joe Biden mbi gjendjen në vend që ai do ta mbajë të martën në mbrëmje në një seancë të përbashkët të të dyja dhomave të Kongresit.  /Associated Press/