Bluja dhe e verdha. Ngjyrat kombëtare të Ukrainës dominonin imazhin e sallës plenare dhe të hollit në selinë e Parlamentit të BE-së në Bruksel. Shumë deputetë europianë kishin veshur në shenjë solidariteti bluza me flamurin e Ukrainës, parrullat ishin të lyera ose në blu ose në të verdhë, po me këto ngjyra ishte edhe veshja e komisares së BE-së për Konkurrencën, Margrethe Vestager.
Kur presidenti ukrainas Volodymyr Selenskyj përmes një lidhjeje me video-link mbajti një fjalim nga Kievi i përfshirë në luftime, duke kërkuar antarësimin e shpejtë të Ukrainës në BE, eurodeputetët si dhe një sërë vizitorësh me prejardhje nga Ukraina, e shoqëruan atë me duartrokitje frenetike që zgjatën.
Presidentja e Parlamentit, Roberta Metsola, e falenderoi presidentin Selenskyj dhe popullin ukrainas për „rezistencën heroike” kundër sulmuesit rusdhe tërhoqi vëmendjen: “Ne duhet ta përballojmë bashkarisht të ardhmen.” Parlamenti Europian me shumicë dërmuese është për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit me Ukrainën. Kërkesa zyrtare u parashtrua pak ditë më parë nga Selenskyj.
Ekzekutivi i frenon shpresat
Presidenti i Këshillit të BE-së, Charles Michel, e cilësoi Selenskyj-n si „mishërim i vlerave europiane”. Një kuadër kohor apo një premtim Selenskyj nuk mundi të marrë: “Ky është një preokupim legjitim. Ne duhet ta shqyrtojmë këtë me shumë saktësi”, u shpreh në mënyrë të moderuar Michel, sepse ai e di që: “Ka një mori pikëpamjesh të ndryshme për këtë në BE.”