Nga Barbara Wesel
Mund ta quash ligjin e pasojave të padëshiruara: me luftën e tij kundër Ukrainës, Presidenti rus, Vladimir Putin e bashkoi Evropën, i dha fund kursit të pajtimit të disa shteteve të BE, i bëri të kalojnë në ilegalitet shumë prej miqve të tij të vjetër dhe i dha fund për momentin grindjes për gjëra të vogla.
Entuziazmi për unitetin e posazbuluar mund të jetë kalimtar, sepse çmimi për sanksionet e ashpra ende duhet të paguhet. Megjithëkëtë, lufta e Putinit kundër Ukrainës ka efektin e një stimuluesi jetëdhënës, majtas dhe djathtas eleminohen siguri të vjetra dhe në Evropë fryn një erë e re.
Franca: Macroni ka të drejtë dhe populistët janë në hall
Ai e ka thënë gjithmonë: që nga marrja e detyrës, presidenti francez ka predikuar se Evropa duhet të bëhet ekonomikisht më autonome dhe të jetë në gjendje të mbrohet. Kolegët e tij, të mërzitur, e kanë lënë që të flasë pa efekt. Tani del në pah se sa të drejtë kishte Emmanuel Macroni. Megjithatë, edhe ai duhet t’i pranojë tani gabimet e tij: prej kohësh francezi e ka marrë më të mirë Vladimir Putinin, duke besuar se për të ishte çështje pjesëmarrjeje dhe respekti në Evropë. Pas përpjekjes së tij të fundit të pasuksesshme për negociata në Kremlin, Macroni u ndje i mashtruar.
Por kundërshtarët e tij politikë duhet të shkëputen brenda natës nga idhulli i tyre Putin dhe nuk duan t’u kujtohen tweetet e tyre të dikurshme. Deri tani, linja pro-Putin e ish-majtistit Jean-Luc Mélenchon, populistes së djathtë Marine Le Pen dhe rivalit të ekstremit të djathtë Eric Zemmour nuk ka luajtur asnjë rol në fushatën zgjedhore. Sot, fotot e vitit 2017 ku tregohet se fushatën e saj asaj ia financoi Putini janë shumë të sikletshme për Le Pen-in. Një video e Zemmourit në rrjetet sociale, në të cilën ai vlerëson Putinin si një gjeni dhe një francez pothuajse virtual, është bërë ndërkohë një hit negativ. Dhe Mélenchoni e pranon se ai kishte gabuar për rusin. Të tre tani po flasin për bisedimet e paqes.