Politikanët drejtues si dhe shoqëria civile në Shqipëri njëzëri kanë dënuar sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës, duke bërë thirrje kundër luftës dhe për paqen. Protestohet nga shoqëria civile para Ambasadës Ruse në Tiranë.
Aktivistë të shqërisë civile zhvilluan para selisë së Ambasadës Ruse në Tiranë, në mbrëmjen e së enjtes, (24.02), një protestë kundër sulmit rus me raketa ndaj Ukrainës dhe u solidarizuan me qytetarët ukrainas. Në fjalimet e drejtuesve të protestës sulmi rus ndaj Ukrainës u cilësa „agresion ndaj një vendi të pavarur, sulm ndaj Europës dhe së drejtës së popujve për të jetuar të lirë dhe të barabartë. Jemi në anën e popullit ukrainas dhe vlerave të drejtësisë”, theksuan ata gjatë protestës ku mbaheshin pankarta me thirrje “Jo luftë, po paqë”.
Shqipëria në krah të SHBA dhe NATO-s
Presidenti i Republikës, Ilir Meta, zhvilloi të enjten (24.02) një takim të Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Në njoftimin për shtyp të Presidencës, theksohet se ”qëllimi i takimit ishte rivlerësimi i situatës në kushtet e përshkallëzimit të saj pas agresionit ushtarak rus në Ukrainë.”
“Shqipëria si vend anëtar i NATO-s, dhe anëtar jo i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, (OKB), u bashkohet thirrjeve të aleancës dhe të bashkësisë ndërkombëtare drejtuar Rusisë për të braktisur menjëherë rrugën e dhunës dhe agresionit, të respektojë të drejtën ndërkombëtare humanitare, dhe të kthehet në rrugën e dialogut. Shqipëria qëndron në unison me NATO-n dhe BE-në. Ajo do të zbatojë të gjitha angazhimet e marra në kuadër të politikës së jashtme dhe të sigurisë së përbashkët,” citohet Presidenti Meta në njoftimin për shtyp.
Në një postim në twitter kryeministri Edi Rama dënoi sulmin rus kundër Ukrainës dhe shprehu solidaritetin me popullin ukrainas. “Bashkohemi me NATO-n dhe aleatët e Bashkimit Europian, në dënimin e ashpër të agresionit të Rusisë. Mendimet tona janë me popullin ukrainas,” theksoi kryeministri i Shqipërisë në mesazhin e tij.
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, në një takim të posaçëm të Këshillit të Përhershëm të OSBE-së, të zhvilluar të enjten në Vienë, paraqiti qëndrimin e Shqipërisë ndaj sulmit rus.
Burime zyrtare nga zyra e shtypit të Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashme, citojnë ministren Xhaçka të ketë deklaruar në takim se “në këtë moment kritik, në koordinim të ngushtë me partnerët, Shqipëria do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme dhe do të vazhdojë të qëndrojë në solidaritet me Ukrainën, popullin dhe qeverinë e saj. Evropa është e bashkuar për Ukrainën.”
Ajo e cilësoi sulmin rus ” jo vetëm kundër Ukrainës, por edhe kundër arkitekturës së sigurisë së Evropës.”
“E gjithë bota është e bashkuar kundër këtij akti të paligjshëm agresioni. Sulmi kundër Ukrainës është krim, Përgjegjësia bie mbi udhëheqjen ruse. Përgjigja e shteteve pjesëmarrëse të OSBE-së dhe e komunitetit ndërkombëtar në tërësi, duhet të jetë e prerë, e koordinuar dhe me pasoja të menjëhershme,” citohet ministrja Xhaçka .
#StandWithUkraine,