Disa orë pas fillimit të sulmit në Ukrainë, trupat ruse hynë në rajonin e Kievit. Aty raportohet për luftime të ashpra nga ushtria ukrainase. Banorët e kryeqytetit janë urdhëruar të strehohen në strehimoret ajrore.

Banorët largohen nga Kievi

Ligji i luftës ka hyrë në fuqi në të gjithë Ukrainën që nga ora 5:30 e mëngjesit, tani për tani për 30 ditë. Sipas të dhënave të veta, Rusia sulmoi shumë pozicione të ushtrisë ukrainase. Një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes në Moskë tha, sipas agjencisë Interfax, se 74 objekte ishin nxjerrë jashtë luftimit. Midis tyre, njëmbëdhjetë aerodrome, tre poste komanduese dhe një bazë detare. Së fundmi, edhe presidenti ukrainas Selenski konfirmoi se një aeroport ushtarak pranë Kievit ishte pushtuar nga Rusia. Verifikimi i mëtejshëm i pavarur i këtyre deklaratave aktualisht nuk është i mundur.

Përfaqësuesit e qeverisë dhe ushtrisë ukrainase raportuan për një numër të madh të ushtarëve të vrarë. Autoritetet në provincën jugore të Kherson-it thanë se pjesë të rajonit nuk janë më nën kontrollin e trupave qeveritare. Përveç kësaj, sipas informacioneve ukrainase, ushtarë nga Rusia kanë hyrë në zonën përreth rrënojave të reaktorit bërthamor të Çernobilit.

Rusia e nisi luftën në Ukrainë në orët e para të mëngjesit. Presidenti Putin urdhëroi një operacion ushtarak kundër vendit fqinj – në ajër, në tokë dhe në det. Putin tha se qëllimi ishte të siguronte mbrojtjen e popullit të Ukrainës, i cili ishte ekspozuar për tetë vjet ndaj “trajtimit të keq dhe gjenocidit”. “. Kremlini ka përhapur prej vitesh versionin e padëshmuar se “fashistë” të sponsorizuar nga jashtë provokuan një grusht shteti në Kiev në 2014.

dlf